Bashkia Finiq

 

Bashkia Livadhja

 

Kisha e Shën Gjergjit. Leshnicë e Sipërme

Nga mbishkrimi i pikturës murale kisha datohet në vitin 1525 dhe e veçantë për të është trajtimi i varfër arkitektonik e dekorativ i jashtëm dhe thjeshtësia e hapësirave të brendshme. Ajo përbëhet nga naosi dhe nga hajati i hapur, është pa tavan dhe  e mbuluar me çati druri e rrasa guri. Një ikonostas i vjetër dhe i thjeshtë prej druri ndan ambientin e altarit nga absida rrethore. Kisha është e pozicionuar në hyrje të fshatit Leshnicë e Sipërme dhe vizitohet lehtësisht.

Ura e Leshnicës së Poshtme

Mbi lumin e Leshnicës ndodhet një urë guri me gjatësi 13m. e lartësi 4.5 m. mbi nivelin e ujit. Përbëhet vetëm prej një harku me hapësirë drite 6 m. Qemeri i harkut dhe muret bregore janë realizuar me pllaka guri shtuforë. Ruhet në gjendje të mirë,është akoma në përdorim dhe datohet në shek XIX.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës automobilistike.

Ura e Leshnicës së Sipërme

Është një urë e vogël tipike fshati, ngjitur me kishën e Shën Gjergjit. Ka një gjatësi 10m. dhe lartësi mbi nivelin e ujit 2.6m. Përbëhet prej një harku rrethor dhe prej një dritareje lehtësuese që ndodhet djathtas tij. Formulimi arkitektonik dhe zgjidhjet konstruktive janë interesante. Ruhet në gjendje të mirë dhe datohet në shek.XIX.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës automobilistike.

Ura Cerkovicës

Ura e Cerkovicës paraqet interes nga ana konstruktive dhe në aspektin arkitektonik. Kalldrëmi i urës me gjatësi 37m. është i kurbëzuar dhe ka lartësi 5.6m. mbi nivelin e ujit. Harku i madh në anën e majtë ka formën e gjysmërrethit dhe mbi ballin e tij ruhen akoma dy ganxha hekuri për mbërthimin e gurëve ballorë midis tyre. Datohet në fillim të shek.XIX. Ura ruhet në gjendje të mirë dhe është e vizitueshme pranë rrugës automobilistike.

 

 

 

 

Kisha Shën Kollit. Dhrovjan i Sipërm

Kjo është një kishë trekonkëshe e përbërë nga naosi dhe narteksi. Muret përfundojnë me kornizë të rrafshët mbi të cilat ngrihet çatia me rrasa guri. Nisur nga sistemi planimetrik, specialistët shprehen se ndërtimi i kishës duhet t'i takojë fundit të shekullit të XVI.Dallohen disa duar rindërtimi ku i fundit datohet në vitin 1736. Kisha  vizitohet lehtësisht  në qendër të fshatit Dhrovjan.

Puset e vjetra të Dhrovjanit

Në Dhrovjanin e Sipërm e të Poshtëm ndodhen disa puse të vjetra në formë çisterne. Puset nga trajtimi planimetriko - volumor kanë formën e sterave. Ndërtimi i tyre përkon me atë periudhë të ndërtimit të shumë banesave të vjetra përreth. Pusi më i vjetër i datuar gjendet në Dhrovjanin e Sipërm, i përket vitit 1843 kurse në Dhrovjanin e Poshtëm daton në vitin 1876. Vizitohen lehtësisht në qendër të Dhrovjanit.

Manastiri i Shën Kollit. Dhivër

Manastiri ndodhet në jug të fshatit Dhivër dhe aktualisht dallohen kisha dhe një nga konakët e ndërtuar më vonë. Bazuar në tipologjinë e naosit, specialistët shprehen se kisha është ndërtuar rreth fundit të shek XVI-fillimit të shek.XVII   kurse mbishkrimi 1736 paraqet vitin e pikturimit të saj. Në kompleks kisha paraqitet e zhvilluar, me pamje të hijshme dhe hapësirë të brendshme të goditur. Vizitohet lehtësisht disa dhjetra metra mbi rrugën automobilistike për në Cerkovicë.

Kisha e Shën Mërisë. Malcan

Kisha përbëhet nga kisha e vjetër dhe një narteks i ndërtuar më vonë nga ana perëndimore.Naosi paraqitet  në formë kryqi me kupolë. Duke u bazuar në tipologjinë dhe dekoracionin e tamburit, të afërt me atë të kishave bizantine, specialistët mendojnë se ajo është ndërtuar midis fundit të shek.XVI dhe fillimit të shek.XVII. Ruhet në gjendje deri diku të mirë dhe mund të vizitohet pranë fshatit Malçan, me anë të një rruge automobilistike të paasfaltuar.

 

 

 

 

 

 

Kisha e Shën Thanasit. Leshnicë e Poshtme

Kisha është ndërtuar në vitin 1797. Përbëhet nga narteksi, mbuluar me çati druri, naosi i tipit bazilikal dhe ambienti i altarit i cili ndahet nga naosi me ikonostas druri.Kisha mbulohet me çati me rrasa guri mbi të cilin lartohet  tamburi tetëfaqësh. Kisha ndodhet dhe vizitohet lehtësisht  buzë rrugës automobilistike që lidhë Leshnicën e Sipërme me atë të Poshtme.

Manastiri i Dhivrovunit.Dhivër

Manastiri është  i pozicionuar në malin mbi fshatin Dhivër, nga i cili ka mbërritur  e plotë vetëm kisha, e cila sipas mbishkrimit figuron e pikturuar në vitin 1604.  Kisha e Shën Mërisë është e tipit bazilikal dhe kompozimi vëllimor i jashtëm i kishës paraqet një vëllim të zgjatur prizmatik. Manastiri ndodhet në një pozicion të vështirë mbi malin e Dhivrit dhe ka vështirësi për t’u vizituar.

Shpella e Shën Gjergjit.Dhivër

Shpella është një zgavër natyrale dhe  paraqet një paraklis të përbërë prej një koridori dhe prej naosit. Faqet e shkëmbit janë të suvatuara dhe të pikturuara, por shumë të dëmtuara dhe datohen nga fundi i shek. IX. Mendohet që shpella të ketë shërbyer si shpellë eremite e më pas si paraklis ku shërbenin murgjit e manastirit të Dhivrovunit, mbi malin Mavrodhivri. Shpella "Kisha e Shën Gjergjit" ndodhet rreth 1 orë rrugë në këmbë në veri të fshatit Dhivër, në një faqe shkëmbi që shikon nga perëndimi dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

Kalaja e Malçanit

Mbetjet e kalasë duken në sipërfaqe të kodrës së Ilias, në jugperëndim të fshatit  Malçan. Qyteza ka patur planimetri rrethore me sipërfaqe rreth 10ha. Gjurmët e murit rrethues dallohen në anën verilindore të kodrës në gjendje jo të mirë, ku vende vende kanë mbetur vetëm grumbuj gurësh. Kalaja datohet në shek. III p.e.s. Gjendet larg rrugëve të komukimit dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

 

 

 

 

 

Kalaja e Dishatit

Kalaja e Dishatit ngrihet në një kodër rreth 600m. të lartë, të quajtur Çuka e Qytezës, midis maleve Mëllez dhe Saraqin. Muret e kalasë rrethojnë majën e kodrës në një sipërfaqe rreth 1500m2 me gjatësi të mureve rreth 150m. Rruga për në kala gjarpëron nëpër shpatin perëndimor, e shtruar me gurë e  me mure mbajtës te kthesat. Mendohet që kalaja të jetë e periudhës së Parë të Hekurit. Dallohet traseja e mureve antike por ndodhen larg rrugëve të komunikimit dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

 

 

Close