Këshilli i Qarkut Vlorë

BNB

Menaxhimi i Burimeve Natyrore të Qarkut Vlorë (BNB)

Këshilli i Qarkut të Vlorës ka hartuar dhe aprovuar Programin e Menaxhimit të Qëndrueshëm të Burimeve Natyrore duke synuar konceptimin e një oferte të re turistike bazuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit.

Objektivat e këtij programi fokusohen në:

  • Ruajtjen e karakteristikave natyrore të zonës,
  • Rehabilitimin e burimeve natyrore të dëmtuara për shkaqe natyrore ose njerëzore
  • Administrimin racional të tyre
  • Promovimin e këtyre vlerave autoktone

Mbi 100 projekte me tematika të integruara si: përmirësim dhe ruajtje e vlerave të zonave të mbrojtura; rehabilitimi dhe sigurimi i monumenteve natyrorë, rivitalizimi i zonave peisazhike dhe shtim i sipërfaqeve të gjelbëruara, rrjet pikash panoramike, rrjet shtigjesh sportive, peshkimi dhe akuakultura, bujqësia dhe blegtoria, hidrologjia dhe resurset ujore, energji e rinovueshme janë të përfshira në këtë program. Programi është i hapur për t’u pasuruar me projekt-propozime të tjerë me fokus burimet natyrore.

3 projekte të Programit BNB të financuara nga Fondi i Zhvillimit Rajonal

Në shkurt 2015 Këshilli i Qarkut Vlorë aplikoi në thirrjen për aplikime të Fondit të Zhvillimit Rajonal me projekte të programit BNB, prej të cilave tre u përzgjodhën fituese për zbatim.

  1. Projekti për pikën panoramike dhe sportive në Llogara u zbatua gjatë periudhës 2015-2016. Kjo pikë panoramike është kthyer tashmë në një destinacion panoramik për të gjithë udhëtarët dhe turistët që udhëtojnë prej Vlorës përmes Llogarait drejt bregut të Rivierës, si edhe një vend shumë i rëndësishëm i sportit të parashutizmit. Në maj 2017 u bë stacioni kryesor i lëshimit të parashutistëve në kampionatin botëror të sporteve ajrore.

  1. Projekti për krjimin e shtegut sportive e turistik të Gjipesë është projekti i parë i këtij lloji që është zbatuar në qarkun e Vlorës në periudhën 2015-2016. Ky projekt shërben edhe si pjesë e një rrjeti të propozuar shtigjesh sportive të identifikuar në gjithë qarkun e Vlorës.

  1. Pikë Vrojtimi në kalanë e Porto Palermos është investimi i tretë i realizuar në kuadër të programit BNB përmes pajisjes me dylbi vrojtuese të kësaj kalaje si pjesë, jo vetëm e trashëgimisë kulturore, por edhe për pozicionin e mrekullueshëm gjeografik, ku shkrihen vlera tipike natyrore të zonës.