Galeria

Vlora

Qyteti i Vlorës ndodhet në qendër të gjirit të Vlorës. Fillon në veri me kepin e Triportit dhe përfundon në perëndim me kepin e Gjuhëzës në Karaburun. Ka një pozicion shumë të favorshëm gjeografik që ka dalje të drejtpërdrejtë në det me një mbrojtje natyrore nga malet dhe kodrat. Kjo pozitë e volitshme gjeografike përforcohet edhe për shkak të vendndodhjes midis rrugëve tokësore, detare dhe ajrore që e lidhin lehtësisht me pjesën tjetër brenda dhe jashtë vendit. Qyteti i Vlorës është 147 km larg kryeqytetit, Tiranës, 72 km nga Italia (Kanali i Otrantos) dhe 77 milje nga ishulli i Korfuzit, Greqi. Vlora është e njohur për burime të shumta natyrore, biodiversitet të pasur dhe korridore ekologjike. Në antikitet Vlora është quajtur Aulona dhe përmendet në shkrimet e historianëve të lashtë. Një kombinim i vlerave historike, arkeologjike dhe natyrore me plazhe dhe me një klimë të mrekullueshme, duke përfshirë mundësinë për ndërtimin e qendrave turistike, ku do të përqendrohen aktivitete të tilla si sportet e ujit ose peshkimi e bën Vlorën një potencial të madh për zhvillimin e turizmit dhe argëtimit.

Monumenti i Pavarësisë

Në qendër të sheshit të Flamurit lartësohet Monumenti i Pavarësisë,një kompleks skulpturor 17m. i lartë, i cili ngrihet mbi një platformë shumë shkallëshe me pamje piramide.Monumenti daton më 28 Nëntor 1972 dhe  është ngritur me rastin e 60 Vjetorit të Pavarëisë së Shtetit Shqiptar.Vizitohet lehtë në qendër të Vlorës.

Rruga Justin Gotard

Rruga “Justin Gotard” mban në shenjë nderimi emrin e avokatit,senatorit dhe diplomatit të famshëm francez, që ka qenë nga miqtë e pakët e më të mirë të Shqipërisë. Kjo rrugë paraqet një kompleks banesash dhe dyqanesh në arkitektonikën tradicionale.Rruga ka patur edhe një restaurim vitet e fundit.Ndodhet në qendër të Vlorës,përballë Monumentit të Pavarësisë dhe është lehtësisht e vizitueshme.

Muret antike Vlorë

Pranë monumentit të Pavarësisë, në vitin 1985 janë gjetur rrënoja muresh me gjatësi rreth 50m,gjërësi 2m. dhe 7.5m. lartësi. Muret ndjekin reliefin natyror të qëndës së qytetit, me një planimetri midis katërkëndëshit dhe poligonalit. Mendohet  se ju përkasin mureve të Aulonës antike, fortifikimi i së cilës përmendet për herë të fundit në shek.XI.Vizitohen lehtësisht në qendër të Vlorës,pas Monumentit të Pavarësisë.

Muzeu i Pavarësisë Vlorë

Muzeu i Pavarësisë përfaqëson një ndërtim të realizuar përgjatë shek.XIX dhe që ka funksionuar fillimisht si gazermë ushtarake gjatë sundimit osman.Pas Shpalljes së Pavarësisë ka shërbyer si seli e Qeverisë së Vlorës.Në hapësirat e ndërtesës është çelur më 1913 Muzeu i Parë Arkeologjik Shqiptar. Vizitohet normalisht në qendër të Vlorës.

Muzeu historik Vlorë

Godina e muzeut është një ndërtim i fillimit të shek.XX dhe i realizuar nga mjeshtra vendas.Deri në vitet 1940 ka funksionuar si bashki për qytetin e Vlorës.Pas viteve 1970 u përshtat  si  muze historik  për qytetin. Veçohet për vlerat historike dhe zgjidhjet urbane. Në vitin 1999 ka patur një restaurim dhe është i vizitueshëm në qendër të qytetit.

Muzeu etnografik Vlorë

Godina e përshtatur për muze etnografik paraqet një ndërtim të shek.XIX dhe përfaqëson vlerat ndërtimore të shtëpisë qytetare të Vlorës. Ka qenë selia e klubit patriotik “Labëria” në vitin 1908.Gjithashtu është përdorur edhe si lokal ku u çel kursi i parë për mësimin e gjuhës shqipe në rrethin e Vlorës.Vizitohet lehtësisht në qytetin e Vlorës.

Varri monumental i Ismail Qemalit

Monumenti i varrit të  Ismail Qemalit u realizua me rastin e 20 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare.Është vepër e skulptorit të mirënjohur shqiptar Odise Paskali dhe është përfundur në vitin 1932.Ndodhet në qendër të Vlorës midis Monumentit të Pavarësisë dhe Monumentit të Flamurit.

Manastiri i Shën Mërisë

Manastiri ndodhet në ishullin përballë fshatit Zvërnec, i rrethuar nga mure dhe konakët dykatësh me çardak. Pjesët më të vjetra të kishës takohen në naos dhe narteks.Për të vizituar manastirin duhet të përshkosh një urë druri të ndërtuar mbi lagunën e Nartës, e cila lidh bregun me manastirin. Monumenti datohet në shek.XIII.Manastiri ruhet në gjendje të mirë dhe mund të vizitohet lehtësisht me anë të rrugës që të shpije në fshatin Zvërnec.

Kalaja e Vlorës

Kalaja e Vlorës ka qënë ndërtuar  me gurët e kalasë së Jengjecit pranë Triportit. Sot pothuajse nuk ruhet asnjë gjurmë prej saj sepse fatkeqësisht më 1905 ajo u shkallmua me ndërgjgje dhe  gurët e saj u përdorën për të shtruar rrugët e Vlorës. Kalaja e Vlorës u ndërtua me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm kur ndodhej në Vlorë më 1531. Arkitekt i saj ka qenë shqiptari Mimar Sinani i famshëm.Në vendin ku dikur ngrihej kalaja qëndron një tabelë e cila të njeh me historikun e saj.

Xhamia Muradije

Xhamia është ndërtuar gjatë shek.XVI, rreth vitit 1542, në kohën e sulltanit Sulejman Kanuniu dhe arkitekt i saj ka qenë Mimar Sinani i Madh,kryearkitekt i perandorisë osmane përgjatë gjithë këtij shekulli. Megjithë ndryshimet në kohëra, monumenti i ruan vlerat arkitektonike dhe origjinale të tij.Ruhet në gjendje të mirë dhe mund të vizitohet lehtësisht në qendër të Vlorë

 

 Kuzum Baba

Kuzbaba quhet një taracë detare e lartë rreth 70m. që ngrihet në qendër të qytetit të Vlorës,në anën lindore mbi xhaminë  Muradije.Në qendër të saj ndodhet edhe tyrbja bektashiane e Kuzbabasë. Për t’u ngjitur në Kuzbaba duhet të përshkosh rreth 240 shkallë të gurta gjarpëruese.Taraca ka një gjatësi prej rreth 200-300m.

Kalaja e Kaninës

Kanina është themeluar në shek.IV p.e.s.,  është shkatërruar në vitin 167 nga legjionet romake të konsullit Paul Emili. Gjurmët e fortifikimit antik të shek.IV p.e.s., dallohen në të gjithë konturin e kalasë mesjetare. Në vitin 1417, Kanina bie në duart e perandorisë Osmane. Ruhet në gjendje shumë të dëmtuar dhe mund të vizitohet lehtë me anë të rrugës automobilistike.Gjendet 4-5km.larg qendrës së Vlorës.

 

Tragjasi i Vjetër

Rrënojat e fshatit Tragjas i Vjetër datohen në fillimet e shek.XIX dhe për shkak të punimit të mirë, në një pjesë arrihet të lexohet edhe kompozimi i tyre. Banesat ofrojnë elementët e ndërtimit karakteristikë prej guri të zonës,ku veçohen egzistenca e dëndur e frengjive të luftimit në muret e tyre.Rrënojat ndodhen rreth një gjysëm ore rrugë në këmbë në jug të fshatit Tragjas.Vizitohet me vështirësi për shkak të terrenit të ashpër.

Kalaja e Gjon Boçarit

Kalaja ndodhet në një kodër të quajtur “Gjembe” pranë fshatit Tragjas. Në përgjithësi muret ruhen në gjendje të mirë, lartësia në anën e jashtme arrin deri në 4m. Në territorin e kalasë nuk ka gjurmë banesash. Mendohet që kalaja është ndërtuar midis shek.XVI-XVII.  Ndodhet në jug të fshatit Tragjas dhe mund të vizitohet me anë të një rruge automobilistike të vështirë.

Shpella e Kasavallit Tragjas

Shpella është e pozicionuar midis fshatrave Dukat dhe Tragjas, në një shpat mali me lartësi 720m. Bazuar në gjetjet arkeologjike studjuesit e datojnë shpellën  e Kasavallit si një vendbanim të periudhës Neolitike.Terreni i ashpër shkëmbor bën që vizitat në shpellë të jenë të vështira për t’u realizuar.

Kullat e Dervish Aliut Dukat

Kullat e Dervish Aliut ngrihen në qendër të lagjes Mazo të Dukatit të Vjetër, dhe përbëjnë një shembull unikal nga ndërtimet e vjetra  që ruhen akoma në krahinën  e Labërisë. Kompleksi është ndërtuar në vitin 1828 nga ustallarë të ardhur nga Janina dhe përbën një rast të rrallë në arkitekturën e ndërtimeve fshatare. Mendimi i specialistëve është se banesa fillestare i përket fundit të shek.XVIII. Aktualisht, ansambli është në fazën e projektimit për t’u restauruar pas fazës së vështirë të tranzicionit.Ruhet në gjendje deri diku të mirë, rreth 15 minuta nga qendra e Dukatit dhe mund të vizitohet me anë të një rruge këmbësore.

Oriku

Qyteti antik i Orikut pozicionohet në jug të gjirit të Vlorës, mbi një kodër të ulët gëlqerore të quajtur Paleokastër. Mendimi i studjuesve shqiptarë është se Oriku figuron i themeluar nga korinthasit në vitin 558 p.e.s., pothuajse në të njëjtën kohë me Apolloninë. Duke filluar nga shek.II p.e.s. Oriku figuron në të gjitha konfliktet midis Maqedonisë dhe Romës  kurse gjatë periudhës otomane është quajtur Pasha Liman. Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e qytetit antik,vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe është i vizitueshëm lehtësisht me anë të rrugës automobilistike Vlorë-Orikum.

Kisha e Marmiroit Orikum

Kisha e Marmiroit ndodhet mbi një çukë të vogël në afërsi të Orikut dhe në këmbët e gadishullit të  Karaburunit. Me emrin kisha e Marmiroit ajo përmendet fillimisht në dokumenta historike në vitin 1307. Mbështetur në arkitekturën e monumentit dhe në krahasimin me kishat e vendeve fqinjë, studjuesit kanë arritur në konkluzionin se kisha e Marmiroit mendohet të jetë ndërtuar midis shek.X-XIII.Ruhet në gjendje të mirë dhe mund të vizitohet nga ana e qytetit të Orikumit me anë të një rruge automobilistike të kënaqëshme.

Gjiri i Gramës Karaburun

Gjiri i  Gramës ose Gramata është bërë i njohur për herë të parë nga Qiriaku i Ankonës(1391-1452). Fillimisht Grama është përdorur si gurore gjatë periudhës antike, duke filluar nga shek.VI p.e.s. Në faqet shkëmbore  qysh nga shek.III p.e.s. ka filluar gdhendja e mbishkrimeve në gjuhën greke dhe latine gjatë pjesës lindore të gjirit.  Gramata me shkrimet e tipit ikonografik, konsiderohet si një “arkiv kartëvizitash prej guri, si një bibliotekë në shkëmb. Mund të vizitohet me  anë të një udhe këmbësorësh por të vështirë nga ana e Orikumit dhe me rrugë detare.

Ujësjellësi Ferrune

Ujësjellësi i Ferrune ndodhet në rrëzë të Karaburunit, pranë kishës së Marmiroit i ndërtuar  mbi përroin e Gjinares. Për ndërtimin e ujësjellësit është përdorur gur gëlqeror, kurse faqet anësore të kanalit janë ndërtuar me gur lumi të rrumbullakët. Bazuar në të dhënat e vendasve, ujësjellësi është ndërtuar rreth vitit 1888. Ruhet në gjendje deri diku të mirë dhe ndodhet disa qindra metra larg rrugës nacionale pranë Dukatit të Ri.Vizitohet lehtësisht me anë të rrugës automobilistike.


Selenica

Qyteza e Selenicës është e kufizuar me brigjet e lumit Vjosë në veri-lindje, vargu i Shashice-Çikës në perëndim dhe malësitë e Kurveleshit dhe Bashkia Himare në jug. Qyteti Selenicë ndodhet në bregun e majtë të lumit Vjosë, rreth 34 km nga qyteti i Vlorës dhe ngrihet në zonën kodrinore, duke përfshirë minierën e bitumit, burimi i vetëm i këtij minerali në Shqipëri. Qyteti Selenicë përmendet që nga antikiteti si një vend me emrin "Nympheum", me zjarret e përjetshme, për shkak të burimit të mineraleve. Territori i bashkisë Selenicë përfshin qytetet e lashta të Olimpias dhe Amantias që datojnë në shekullin V p.K. Gjithashtu si objekte kulturore përmenden kisha e Shën Thanasit, afresket e të cilit janë realizuar nga piktori i madh David Selenicasi, kisha e Armenit, etj. Prania e qendrave të trashëgimisë arkeologjike dhe kulturore në territorin e bashkisë ka krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit rural dhe kulturor. Menaxhimi ekonomik i bashkisë është fokusuar në bujqësinë dhe blegtorinë.

Rrethi i Plakës - Brataj

Ndodhet në pjesën e sipërme të shpatit të malit të Bratajt, pranë fshatit homonim të rrethit të Vlorës, rreth 800 m mbi nivelin e detit. Përbën një gur gëlqeror me formë të çuditshme, në trajtën e një vule gjigande apo të rrathëve të plakës (tre rrathë gjigandë që duken nga larg), të formuara nga proçesi i karstit. Pikërisht për këtë monumenti mer vlera të veçanta shkencore sidomos gjeologjike, por edhe didaktike e turistike. Vizitohet sipas rrugës Vlorë – Brataj dhe pastaj vazhdohet më këmbë deri tek monumenti.

Olympe - Mavrovë

Rrënojat e  Olympes  janë identifikuar pranë fshatit Mavrovë,në një kodër në të djathtë të rrjedhjes të lumit Shushicë. Qyteti rradhitej midis qyteteve mesatare me  dy faza ndërtimi, rreth shek. V p.e.s. dhe tjetra në shek.IV p.e.s. kur qyteti arrin kulmin e mirëqënjes e të lulëzimit të tij. Studjuesit janë të mendimit se qyteti mban emrin e vajzës së Pirros së Epirit,Olimpias.Rrënojat dallohen me vështirësi nën shtëpitë e Mavrovës dhe vizitohen me vështirësi me anë të një rruge fshati automobilistike.

Amantia - Plloça

Amantia ndodhet e pozicionuar pranë fshatit Plloçë, 35km. larg qytetit të Vlorës dhe ka qenë qendra e koinonit të Amantëve me shtrirje nga Shushica deri në Borsh.. Ajo zinte pjesën e sipërme të një kreshte shkëmbore,të formuara nga dy maja, mbi një kodër 613m. të lartë, rrafshi i së cilës u qarkua me mure të fuqishme qysh në shek.V p.e.s. Mbas braktisjes në Mesjetë, Amantia u harrua derisa në vitin 1861,është epigrafisti Izambert që identifikon rrënojat e saj.Ka statusin e Parkut Kombëtar dhe ruhet në gjendje të mirë.Vizitohet lehtësisht me anë të rrugës automobilistike.

Piktura shkëmbore Lepenicë

Piktura prehistorike shkëmbore gjendet në shpatin e malit të Lepenicës,përgjatë bregut të majtë të luginës së Shushicës.Piktura figuron e realizuar në tavanin e një strehe shpellore, në një lartësi rreth 800m. mbi nivelin e detit dhe banorët  e quajnë „Shpella e shkruar„. Piktura shkëmbore përbëhet nga 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta.Studjuesit kanë konkluduar se piktura ka vetëm një kohë realizimi dhe duhet të jetë realizuar midis periudhave të Neolitit të Vonë dhe Eneolitit,gjatë mijëvjeçarit të III p.e.s. Për shkak të terrenit shkëmbor paraqet vështirësi për  t’u vizituar.

Ura e Frëngut

Ura e Frëngut ndodhet disa qindra metra përpara se të mbërrish në fshatin Gjorm. Ajo përbëhej vetëm prej një qemeri karakteristik e me formë unikale që përfaqësojnë dy linja të drejta e të pjerrëta të cilat bashkohen tek kyçi i urës. Ura ka patur një gjatësi prej 14m. dhe gjerësi prej 3.3m. Studjuesit shprehen se ura është ndërtuar gjatë shek.XVIII.Vizitohet lehtësisht pëtgjatë rrugës në fshatin Gjorm.

Kalaja e Cerjes

Kalaja ngrihet mbi një kodër në formë piramide në krahun e djathtë të rrjedhjes së Shushicës. Në anën e hyrjes kryesore ka egzistuar një urë antike prej guri e quajtur „ura e Bogdanit“. Bazuar edhe në qeramikën e gjetur, studjuesit e datojnë kalanë në shek.III-I p.e.s.Rrënojat paraqiten shumë të dëmtuara dhe mund të vizitohen me vështirësi për shkak të terrenit shkëmbor.

Kalaja e Boderit

Kalaja e Boderit gjendet në drejtimin lindor të kalasë së Cerjes dhe në bregun e majtë të përroit të Cmokthinës. Muri ndiqet i plotë në të gjithë gjatësinë e tij por ruhet në gjendje më të mirë në anët lindore e jugore, ku lartësia arrin deri në 4m. Rrënojar ruhen në gjendje të dëmtuar  dhe paraqesin vështirësi për t‘u vizituar.

Shpellat e Velçës

Janë  vendbanime shpellore të periudhave prehistorike dhe gjenden përballë shpellës së shkruar të fshatit Lepenicë. Studjuesit shprehen se Velça mbetet stacioni më i madh i shpellave natyrore të banuara gjatë prehistorisë në zonë. Gjetjet arkeologjike në shpellat e Velçës, i takojnë përiudhës së Neolitit të Vonë dhe Eneolitit, rreth mijëvjeçarit të IV p.e.s. Shpellat shtrihen në një terren të thyer dhe paraqesin vështirësi për t’u vizituar.

Kulla e Gumenicës

Kulla ndodhet në qendër të fshatit të vjetër të Gumenicës dhe rrotull saj dallohen edhe disa varre  të periudhës osmane. Mendohet se kulla është e periudhës së Ali Pashë Tepelenës, fundi i shek XVIII.Banesa paraqet një planimetri  kënddrejtë dhe  dhe me një çardak në hapësirën e krijuar, i cili gjallëron pamjen kryesore të banesës.Banesa ruhet në brendësi të fshatit Gumenicë dhe është lehtësisht e vizitueshme.

Qyteza e Armenit

“Qyteza“ ngrihet në lartësinë 293m. në verilindje të Armenit, ku përreth  kodrinës janë zbuluar gjurmë muresh në një gjatësi  prej rreth 290m. Në veriperëndim të Armenit,në vendin e quajtur „Bregu i Qishës“ janë zbuluar mure që i takojnë një kishe të hershme bizantine. Studjuesit shprehen se Armeni ka figuruar si një qendër ekonomike, nga shek.IV-III p.e.s. deri në Mesjetë. Rrënojat e mureve dallohen të dëmtuara dhe paraqesin vështirësi për t’u vizituar për shkak të terrenit shkëmbor.

Kisha e Shën Kollit Armen

Kisha  e Shën Kollit paraqet një shembull të kishave me kupolë dhe në muret e saj dallohen të murosura deri edhe fragmente kapitelesh antikë. Tipologjikisht ajo hyn në tipin e kishave me një trajtim arkitekturor pak primitiv. Në Shqipëri  ajo paraqet rastin unikal në këtë drejtim dhe përbën një dëshmi me vlerë. Studjuesit mendojnë se bazuar edhe në format primitive dhe ndërtimin me gurë,kisha është ndërtuar rreth shek.XI. Vizitohet lehtësisht pranë Armenit.

Termet antike Rexhepaj

Në hapësirën midis fshatrave Rexhepaj dhe Gorisht janë zbuluar disa rrënoja të cilat studjuesit i kanë klasifikuar të periudhës romake dhe që përfaqësojnë terme romake.Në kompleksin e termeve është zbuluar edhe një mozaik i cili i përket periudhës bizantine. Aktualisht rrënojat paraqiten të dëmtuara dhe arrihen përgjatë rrugës automobilistike.


Saranda

Saranda përfaqëson një prej ekosistemeve më të pasura me ndikime të dyfishta në tokë dhe në det në lidhje me zhvillimin e turizmit. Në anën jugore ndodhet gadishulli i Ksamilit dhe Butrinti, dy zona karakteristike për bukurinë e rrallë në lidhje me natyrën, potencialet ekologjike dhe vlerat arkeologjike. Qyteti i Sarandës përfshihet në një rreth të rrallë hidrografik për shkak të burimeve ujore dhe veçantisë së tyre, duke përfshirë lumin Bistrice, lumin Kalasa, lumin Pavlla, liqenin Buthrotum, si dhe burime të forta të Navaricës. Saranda ruan në gjirin e vet një thesar mijëvjeçar të një qytetërimi dhe kulture të lashtë, gjurmët e të cilave janë të pranishme edhe sot. Në Antikitet është e njohur me emrin Ohnesm, bazuar në legjendën e Trojanit sipas Virgjilit.

Salla me mozaik Sarandë

Salla është zbuluar e fragmentuar dhe paraqet mjedisin e një godine të shek.III.e.s. Sipas arkeologëve që kryen gërmimet,në objekt janë vërejtur ndërhyrje për ta shndërruar atë në ndërtesë kulti.Në një nga anekset e saj të quajtur nga studjuesit si “dhoma me delfin”, janë gjetur fragmente skulpturash,kapitele të shek.IV-VI si edhe një mozaik me një mbishkrim që flet për një presbiter. Aktualisht, objekti ruhet pranë godinës së Muzeut Arkeologjik,Sarandë.

Kisha e manastirit “ 40 Shënjtorët “Sarandë

Bazilika e Dyzet Shënjtorëve të Sebastjes mbi Sarandë është e tipit të pelegrinazhit dhe  pozicioni strategjik dhe dominues i manastirit  “Dyzet Shënjtorët” është i veçantë. Bazilika ka qenë pjesë e manastirit deri në mesin e shek.XIX kur u shkatërrua përfundimisht nga bombardimet e luftës së Dytë Botërore.Kisha i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës, i cili në Antikitet quhej Anchesmos kurse në Mesjetë,rreth shek.XII përmendet për herë të parë si Santa Carentet(Dyzet Shënjtorët). Bazilika datohet në fundin e shek.V- fillimi i shek.VI.Aktualisht vizitohet me anë të një rruge të vështirë automobilistike, e cila ndahet nga rruga nacionale në Qafë të Gjashtës.

Kështjella trekëndëshe –bregu jugor i kanalit të Vivarit Butrint

Kështjella është e pozicionuar në bregun jugor të kanalit të Vivarit, përballë qytetit antik të Butrintit. Ajo ka një planimetri pothuajse trekëndëshe dhe ruhet relativisht në gjendje të mirë. Specialistët kanë dalluar pesë periudha ndërtimi, të cilat i kanë dhënë kështjellës pamjen e sotme..Periudha e parë e ndërtimit  përfshin fundin e shek.XIII deri në fundin e shek.XIV duke përfunduar me periudhën e fundit në fillim të shek XIX. Ruhet në gjendje të mirë,ka patur edhe një restaurim dhe është lehtësisht e vizitueshme buzë kanalit të Vivarit

Kështjella e Sarandës

 Kështjella, për vetë pozicionin që u krijua nga ndërtimi mbi rrënojat e saj, i qendrës së Sarandës, në mesin e shek. XX, ka ardhur në ditët tona e rrënuar. Kështjella ka ekzistuar në atë pjesë ku sot shtrihet qendra e Sarandës dhe rrugët e qytetit janë ndërtuar mbi muret e kështjellës. Ajo ka patur formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, me anët lindore e perëndimore që zbresin drejt detit. Gjurmë të kalasë që ruhen janë  ato të një kulle pranë bregut të detit dhe rrënojat e murit rrethues pranë sinagogës-bazilikë.

Sinagoga-Bazilikë Sarandë

Në pjesën lindore të mureve të kështjellës së Sarandës ndodhet një  sinagogë-bazilikë trenefshe. Vërtetohen dy faza të ndërtimit të saj, njëra në shek.V e.s. dhe tjetra ndoshta gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian, në mesin e shek.VI.e.s. Zbulimet fundit sipas mozaikut të zbuluar vërtetuan se ndërtesa fillimisht ka egzistuar si një sinagogë ebreje deri në çerekun e fundit të  shek.VI. Mendohet që sinagoga është shkatërruar bashkë me qytetin e Sarandës gjatë dyndjeve barbare të gotëve në shek.VI. Rrënojat e sinagogës-kishë gjenden sot në qendrën e Sarandës.

Kështjella e Lëkurësit Sarandë

Kështjella ngrihet mbi majën e një kodre të lartë rreth 1km. në juglindje të Sarandës, nga ku zotërohen të gjitha pikat e horizontit. Kështjella ka patur një planimetri pothuajse katrore dhe në shpatin perëndimor të kodrës dallohen rrënojat e fshatit të vjetër Lëkurës.Brenda murit lindor dalloheshin konturet e një kishe. Mendohet që kështjella të jetë ndërtuar në periudhën e fushatës së sulltan Sulejman Kanuniut më 1537 në Korfuz. Aktualisht, kalaja është rikonstruktuar dhe e përshtatur për qëllime turistike.Lehtësisht e vizitueshme me rrugë automobilistike.

Manastiri i  Shën Gjergjit Demë

Manastiri ndodhet i pozicionuar në majë të një kodre 180m. të lartë, e cila nga ana lindore laget nga ujërat e liqenit të Butrintit dhe nga perëndimi kufizohet me brigjet e detit Jon. Kisha e Shën Gjergjit pozicionohet në qendër të manastirit, muret rrethuese të të cilit së bashku me kishën dhe konakët janë restauruar vitet e fundit. Bazuar në zgjidhjet e zhvilluara strukturale, kisha mendohet të jetë ndërtuar në fundin e shek.XVII.  Vizitohet me vështirësi për shkak të amortizimit të rrugës automobilistike.

Muri i Demës Çukë

Muri i Demës ndodhet në pikën më të ngushtë të gadishullit të Ksamilit dhe paraqet interes për karakterin unik të tij. Muri ngrihet mbi kodrën e Shën Gjergjit, mbi të cilin është ndërtuar në shek.XVII manastiri i Shën Gjergjit dhe ka dy periudha ndërtimi. Muri i Demës si fortifikim ka patur një mbrojtje të pavarur në formën e një kalaje. Studjuesit e datojnë ndërtimin e murit në shek.V p.e.s. Aktualisht dallohen gjurmët e tij në të gjithë trasenë antike.Ruhet më mirë në kontaktin me detin Jon.Vizitohet me vështirësi për shkak të amortizimit të rrugës automobilistike.

Tempulli antik Metoq

Në Qafën e Gjashtës, në të djathtë të rrugës Sarandë-Delvinë, në një nga kodrat e fshatit Metoq kanë egzistuar dy tempuj të kohës klasike. Aktualisht mund të përcaktohet saktë njëri prej tyre, i pozicionuar midis banesave të reja. Mbi sipërfaqe  dallohen gjurmët e mureve të ndërtuara prej blloqe gurësh të mëdhenj të punuar mirë nga të katër faqet. Datohen në shek.III-II p.e.s. Rrënojat gjenden midis ndërtimeve të reja në qendrën e lagjes Metoq.

Vendbanimi antik Çukë

Kodra e Çukës ndodhet në juglindje të Sarandës,  është vazhdim i malit të Lëkurësit dhe mbi sipërfaqe shkëmbore të saj dallohen gjurmët e një vëndbanimi të fortifikuar. Veçohet një kullë drejtkëndëshe me mure të ruajtura mirë në tre faqe,  të ndërtuar me blloqe gurësh paralelpipedi deri në 4m. lartësi. Gjurmë muresh duken edhe në vende të tjera të kodrës. Studjuesit e datojnë  vendbanimin në  shek. IV-III p.e.s. Rrënojat gjenden midis ndërtimeve të reja në Çukë.

Butrinti

Qyteti i Butrintit, me një sipërfaqe prej 29m2, është njohur si Park Kombëtar në vitin 2002. Parku Kombëtar i Butrintit është klasifikuar si Pasuri e Trashëgimisë Botërore nga UNESKO, duke transmetuar kështu rëndësinë e tij si një pasuri natyrore e kulturave ndërkombëtare. Brenda kufijve të Parkut përfshihet një ndër qytetet antike më të mëdhenj e romantikë të Ballkanit e të Mesdheut. Parku sot numëron mbi 10 zona të vogla arkeologjike, të cilat mbajnë brenda tyre edhe një botë shumë të larmishme speciesh e gjallesash, nga të cilat 14 prej tyre paraqiten seriozisht të rrezikuara. Parku është shpallur edhe Zonë Ligatinore e Rëndësisë Botërore më 2003. Brenda Parkut të Butrintit përfshihen monumente antike që datojnë nga shek V p.e.s. deri në shek. XVI.Butrinti ndodhet  18 km.në jug të qytetit të Sarandës.

Kështjella e Vivarit Butrint

Ndodhet në bregun jugor të derdhjes së kanalit të Vivarit dhe ka një periudhë ndërtimi. Bazuar në rrethanat historike të kohës, studjuesit kanë arritur në konkluzionin se kështjella është ndërtuar me emergjencë prej Ali Pashë Tepelenës, pas kundërshtimit nga ana e tij të kërkesës së Napoleon Bonapartit për dorëzimin e Butrintit, rreth viteve 1807-1808. Ruhen muret deri në lartësinë natyrale të tyre.Rrethohet nga nje sipërfaqe ligatinore dhe vizitohet vetëm  me barkë nga kanali i Vivarit.

Kalaja e Kalivosë

Kalivoja ndodhet  në lindje të liqenit të Butrintit, në një kodër e cila duke u rrethuar nga të tri anët me ujë merr formën e një gadishulli. Mbetjet antike në zonë u vizituan për herë të parë nga L.Ugolini më 1930.Studjuesit shprehen që fortifikimi datohet në shek.VI p.e.s. dhe ka shërbyer si mbështetje për Akropolin arkaik të Butrintit. Ruhen vetëm rrënoja të mureve antike.Vizitohet me  varkë nga Butrinti dhe me anë të rrugës automobilistike që shkon në Konispol.

Ujësjellësi i Butrintit Xarë

Mbeturinat e dy këmbëve të një ujësjellësi romak dallohen gjatë gjithë fushës së Vrinës (Kestrina e vjetër) deri afër kodrës së fshatit Xarë. Ujësjellësi paraqitet i dëmtuar dhe pjesët më të mira ruhen midis kodrës së Shëndëllisë dhe Dhiministrit. Mendohet që ky monument është ndërtuar në kohën e Augustit, rreth gjysmës së dytë të shek.I p.e.s.Rrënojar ndodhen disa qindra metra  larg kanalit të Vivarit dhe arrihen me këmbë për  një çerek ore.

Diapori

Kodra e vogël e Dhiaporit ndodhet në veri të Kalivosë, pranë liqenit të Butrintit  dhe mbi sipërfaqe të kodrës duken mbeturinat e një godine romake që  mendohet të ketë patur një karakter shoqëror. Në ambientet përreth dallohen gjurmë muresh dhe fragmente të ndryshme qeramike.Vizitohet  me anë të rrugës nacionale rrëzë Milesë dhe me barkë nga Butrinti.

Kalaja e Karalibeut

Kalaja ndodhet midis malit të Milesë dhe liqenit të Butrinit, pranë fshatit Karalibej, e pozicionuar në një kodër shkëmborë nga e cila zotërohet fusha e Vurgut deri në detin Jon.  Në  rrënojat e mureve të kalasë dallohen blloqet e gurit me përmasa të mëdha deri në 2.30m. gjatësi dhe 1.50m. gjerësi. Kalaja datohet midis shek.IV-III p.e.s. Ruhet në gjendje rrënojë dhe me vështirësi komunikimi dhe për t’u vizituar.

 


Himara

Qyteti i Himarës shtrihet përgjatë vijës bregdetare të detit Jon, duke filluar nga Llogoraja në veri deri në fshatin Nivicë pranë Sarandës. Është 50 km larg qytetit të Sarandës dhe 70 km larg qytetit të Vlorës. Në veri, lindje dhe juglindje është i rrethuar nga malet Acroceraunian me pikën më të lartë të tij, majën e Çikës, rreth 2045 metra mbi nivelin e detit. Është një zonë e pasur gjithashtu me kisha dhe manastire, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe religjioze, të tilla si: Kisha e Ipapandisë, Kisha e Shën Stefanit, Kisha e manastirit të Shën Mërisë, Kisha e Shën Spiridhonit, etj. Një prej kalave që përbën interes të veçantë arkeologjik dhe historik është kalaja e Himarës, e cila gjendet mbi kodrën me lartësi 223m. Kjo kala daton në shek.IV-III p.K. Përgjatë shpateve perëndimore të Çikës zbritet në detin Jon, ku lumenjtë gjatë viteve kanë krijuar në deltën e tyre plazhe të shumta të llojeve të ndryshme. Gjiret kryesorë në këtë zonë janë: Spile, Panorm (Porto-Palermo), Borsh, etj, ndërsa plazhet më të rëndësishme janë Palasë, Gjilekë, Jaliskar, Gjipe, Dhërmi, Jalë, Vuno, Livadh, Spile, Potam, Llaman, Plazhi Qeparo, Plazhi Borsh, Plazhi Bunec, Plazhi Lukove, Plazhi Kroreza dhe plazhi Kakome.

Stacioni antik Acroceraunia Borsh

Rrënojat e stacionit gjenden në të dalë të fshatit Borsh,disa dhjetra metra mbi rrugën automobilistike. Studjuesit mendojnë se rrënojat përfaqësojnë një kompleks ndërtimor i cili i përkiste një stacioni rrugor të periudhës romake në shek.I-II e.s. Mendohet se ky stacion ka patur funksionin e një “Mansio” duke zenë një pozicion qëndror në Accroceraune.Dallohen mirë trasetë e mureve dhe mund të arrihet për t’u vizituar me anë të një udhe këmbësorës, 15 minuta mbi rrugën nacionale.

Përroi “Rrugët e Bardha”

Përroi i Palasës, “Rrugët e Bardha” ose “Strada Bianca” shtrihet në rrëzë të faqes perëndimore të Acrocerauneve,poshtë majës së Çikës dhe qafës së Llogarasë. Ky emër i ka mbetur për shkak të vezullimit zbardhëllues që përroi lëshon akoma në terrin e natës. Përroi zbret nga Çika e derdhet vrullshëm në det duke formuar një ambient nga  më madhështorët në krejt bregun Adriatiko-Jonian.Në këtë vend ka zbarkuar në vitin 49 p.e.s. J.Cezari, për t’u ndeshur në Orik me ushtrinë e Gney Pompeit gjatë Luftës Civile.Delta madhështore e tij ruhet pothuajse në gjendje të virgjër dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike.

Kisha e Ipapandisë Dhërmi

Kisha është ndërtuar në pjesën e poshtme të fshatit,në buzë të detit dhe paraqitet e njëjtë tipologjikisht me kishat e Bregut të Detit. Në pjesën qëndrore lartësohet këmbanorja që ka dy kamare të ndara me një kollonë të hollë dhe mbi to një e tretë, duke krijuar  një siluetë elegante me tendencë vertikaliteti.Specialistët mendojnë se kisha i përket gjysmës së dytë të shek.XVIII.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike që të shpije në plazhin e Dhërmiut.

Kisha e Shën Stefanit Dhërmi

Kisha paraqet sot një kapelë të periudhës se pushtimit turk,në muret e së cilës dallohen edhe pjesë muresh të vjetra dhe gjurmë afreskesh që datojnë në shek.XVII-XVIII. Ndërtimi i vjetër ka qenë një bazilikë trenefeshe kurse kapela e re është ndërtuar duke përfshirë hapësira të absidës së vjetër. Mendohet që fillimisht kisha të jetë  ndërtuar midis shek.XI-XII.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike për në plazhin e Dhërmiut.

Kisha e manastirit të Shën Mërisë Dhërmi

Kisha është pjesë e manastirit më të vjetër të ndërtuar në kreshtën shkëmbore më të lartë të Dhërmiut dhe figuron e pikturuar më 1576. Në këtë kishë ka qënë pikturuar portreti i Shën Kozmait më 1781 së bashku me mbishkrimin për martirizimin e tij më 24 Gusht 1779. Kisha përbëhet prej dy pjesësh që dallohen nga njëra tjetra. Specialistëve  e datojnë kishën në shek.XIII-XIV.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht me rrugë automobilistike.

Kalaja e Pirgut Ilias

Pirgu apo Katafiqi ndodhet në kodrën me lartësi rreth 200m. mbi nivelin e detit në perëndim të fshatit Ilias. Maja e kodrës rrethohej plotësisht me një mur me diametër 25m, ku ka egzistuar fortifikimi antik. Dallohet traseja e murit antik, ku muri i anës lindore ruhet më mirë dhe mendohet si një rindërtim i të njëjtës periudhë. Fortifikimi datohet në shek.XII-X p.e.s.Ruhen muret në gjendje rrënojë dhe vizitohet me vështirësi me anë të një rruge këmbësoresh në një terren të ashpër shkëmbor.

Kisha e Shën Spiridhonit Vuno

Manastiri i Shën Spiridhonit është pozicionuar në  qendër  të fshatit Vuno ku formon një ansambël me ndërtesa të karakterit shoqëror. Kisha e tij është  ndërtuar në vitin 1777 dhe pikturuar në vitin.Kisha paraqet një bazilikë  dhe pranë saj ndodhet edhe një kambanore e lartë me dy kamare që figuron si ndërtim i njëkohshëm me kishën.Aktualisht kisha ndodhet në proces restaurimi.

Kisha e Shën-Mëri Mesodhisë Vuno

Kisha e Shën Mëri Mesodhisë është një kapele e pozicionuar në një breg në juglindje të Vunoit, disa metra mbi rrugën nacionale. Kisha përbëhet nga naosi dhe ambienti i altarit, të  ndarë midis tyre nga një ikonostas prej guri me tri hyrje. Piktura murale është realizuar në vitin 1783. Mbi frontonin e murit perëndimor ka qenë një kambanore me  mur guri nga e cila kanë mbetur vetëm këmbët e kamares.Kisha ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht në këmbë.

Kisha e Shën-Mëhillit Vuno

Kisha e Shën Mëhillit është e vendosur në një tarracë brenda fshatit dhe është e pikturuar në vitin 1783. Kisha ka planimetri drejtkëndëshi të  dhe në murin lindor dallohet absida rrethore e vendosur jo tamam në qendër. Në anën veriperëndimore ngrihet një kambanore. Ruhet në gjendje relativisht të mirë dhe vizitohet lehtësisht nga qendra e Vunoit.

Kisha e Shën Sotirës Vuno

Kisha e Shën Sotirës  një bazilikë njënefshe, me absidën në anën lindore dhe aktualisht paraqitet në gjendje mjaft të rënduar.Ka dëmtime të strukturës dhe çatija është e rrëzuar.Datohet në shek.XVIII.Mund të arrihet lehtësisht nga qendra e fshatit Vuno.

Banesa Kasneci Vuno

Kompleksi është realizuar  me tre faza ndërtimi, duke arritur në një kontur të mbyllur që formohet pjesërisht nga ndërtimet dhe pjesërisht nga muret rrethues. Sot ai ndodhet në gjendje rrënojë. Në pamjen nga rruga kompleksi është trajtuar me një gjuhë të vetme arkitektonike që ka njehsuar fazat, të cilat mund të dallohen pas një vrojtimi të imët. Periudha e ndërtimit i takon mesit të shek.XVIII.Kompleksi është pozicionuar në qendër të Vunoit dhe arrihet lehtësisht me anë të rrugicave  me kalldrëm të fshatit.

Vendbanimi i Vjetër i Himarës

Qendra e banuar në kalanë e Himarës është e rrethuar me mure mbrojtëse që zenë fill nga Antikiteti. Në gjendjen aktuale qendra e kalasë së Himarës i përket shek.XVIII-XIX. Qendra e banuar ruan vlera të rëndësishme urbanistiko-arkitektonike, sepse paraqet një  ansambël tipik të zhvilluar brenda mureve të një fortifikimi. Qendrat e lashta të fortifikuara të cilat ruajnë ende brenda tyre ansamble banimi janë shumë të rralla si në Shqipëri ashtu edhe në Ballkan. Vizitohet lehtësisht nga ana e rrugës nacionale.

Kalaja e Himarës

Kalaja ngrihet mbi kodrën  me lartësi 223m, në lagjen e sotme Barbaka dhe rrënojat e mureve antike ndiqen me vështirësi. Sipërfaqja e kështjellës ka qenë rreth një hektar dhe  ka patur një pozicion të mirë strategjik. Studimet kanë nxjerrë në dritë faktin se Himara ka qenë me shumë në rolin e një qendre strategjike ushtarake se sa në rolin e  një qendre ekonomike. Kështjella e Himarës datohet në shek.IV-III p.e.s. Është lehtësisht e vizitueshme nga ana e rrugës nacionale.

Kisha e Shën Sergit dhe Bakut Himarë

Kisha ka qenë selia e dikurshme e Peshkopatës se Himarës, rreth viteve 1019 dhe është ndërtuar në vendin më të lartë në anën veriore të kalasë së Himarës. Muret e saj ruajnë gjurmë të shumë rindërtimeve  dhe ndërtimit të vjetër i takon naosi. Është meremetuar në vitin 1783. Bazuar në teknikën e ndërtimit dhe në dokumentacionin historik mendohet që kisha të jetë një ndërtim i fillimit të shek.XI.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht brenda kalasë së Himarës.

Kisha e Shën Mëhillit Himarë

Kisha është në gjëndje rrënojë dhe ruan në pjesën me të madhe muret në lartësitë e tyre normale. Kisha ka qënë një kapelë drejtkëndshe. Mendohet që kisha të jetë një ndërtim i fillimit të shek. XIII. Vizitohet lehtësisht në buzë të rrugës automobilistike  për në plazhin e Livadhit.

Kisha rrënojë e Shën Ndreut Himarë

Kisha është një kapelë e vogël e pozicionuar në këndin jugperëndimorë të kalasë, ku dallohet absida gjysëm rrethore e ndërtuar në mënyrë primitive. Pjesa e sipërme e saj mbulohej me rrasa guri. Në pjesë të ndryshme të mureve dallohen duar dhe periudha të ndryshme ndërtimi. Mendohet që kisha të jetë një ndërtim i shek.XIII-XIV.Ruhen muret në gjendje rrënojë deri në nivelin e çatisë dhe vizitohet lehtësisht brenda kalasë së Himarës.

Shpellat e Spilesë

Shpellat ndodhen pranë  qëndrës së Himarës, në Spile. Është vërtetuar  prania e disa shtresave kulturore me një shtrirje të gjerë kohore nga Neoliti deri në periudhën Romake. Gërmimet arkeologjike të vitit 2002 në shpellën e Spilesë me mjete bashkëkohore dhe analizave me karbon C14 evidentuan më shumë shtresa kulturore. Pas viteve të vështira të tranzicionit,ku e evidentuan edhe ndërhyrje humane, aktualisht territori i shpellave është nën kontrollin e strukturave shtetërore.Vizitohen lehtësisht në qendër të Spilesë.

Kalaja e Porto Palermos

Kalaja e Porto Palermos është një strukturë  mbresëlënëse e ndërtuar sipas traditave më të mira arkitekturore dhe estetike ushtarake të periudhës së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës. Përmbi portën e saj ka qenë murosur një mbishkrim,  por që u shkatërrua në vitin 1995. Kalaja e Porto Palermos u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1804,mbi rrënojat e manastirit të Shën Kollit.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës nacionale Vlorë-Sarandë.

Kisha e manastirit të Shën Mitrit Qeparo

Kisha ndodhet në  qendër të Qeparoit ku ka krijuar në vite një ansambël me objekte të tjera me karakter shoqëror. Kisha ka tiparet e  kishave  të Bregut të Detit dhe është ndërtuar në vitin 1760. Të vetmet elementë dekorativ janë përfundimet e mureve me korniza në formë dhëmbë sharre. Në anën perëndimore mbi frontonin e murit dallohet një këmbanore.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht pranë qendrës së Qeparoit.

Kullat e Vlashajve Qeparo

Ndërtimi i banesës me kullë lidhet me emrin e Ali Pashë Tepelenës. Kulla trekatëshe  zhvillohet përbri mesit të ndërtimit dykatësh. Ndërtimi dallohet për një përpunim të kujdesshëm,korniza karakteristike prej guri me motive të njohura arkadash si dhe kornizim të dritareve me gur të latuar. Banesa datohet në fillim të shek.XIX., rreth viteve 1810.Ruhet në gjendje gjysëm të rrënuar dhe mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësorësh,një gjysëm ore larg në veri të Qeparoit.

Qyteti antik i Borshit

Vendbanimi i fortifikuar antik i Borshit ngrihet mbi një kodër në formë piramide, 285m. të lartë.  Periudha e parë e qytetit antik të Borshit është në mesin e shek. IV p.e.s. Në vitin 1192 përmendet si kalaja e Sopotit, e banueshme deri në fillim të shek.XX. Ruhen trakte muresh antike në gjendje të mirë si dhe muret e kalasë mesjetare të Sopotit në nivelin normal.Mund të vizitohet me anë të një rruge automobilistike në gjendje të pashtruar me asfalt, dhjetë minuta larg qendrës së Borshit.

Manastiri i Krorëzës Shën Vasil

Manastiri i Krorëzës ndodhet në një kodër pranë bregut të detit Jon, rreth 2km. në veriperëndim të manastirit të Kakomesë dhe është ndërtuar në mesin e shek.  XIV. Kisha e Shën Mërisë është me strukturë në formë kryqi me kupolë. Kisha është e periudhës pasbizantine dhe e pikturuar në vitin 1672. Kisha ruhet në gjendje deri diku të mirë.Mund të vizitohet  me anë të një udhe këmbësore të vështirë nga ana e manastirit  të Kakomesë ose me rrugë detare.

Manastiri i Kakomesë Nivicë

Manastiri është ndërtuar në brendësinë veriore të gjirit të Kakomesë. Kisha e Shën Mërisë hyn në grupin e kishave me tri absida dhe datohet në periudhën e parapushtimit osman. Në pjesën qendrore të murit perëndimor ngrihet kambanorja. Kisha është  pikturuar në vitin 1672 nga piktori Mihal i Jermës. Ruhet në gjendje të mirë dhe vitet e fundit ka patur edhe një restaurim të plotë.Mund të vizitohet me anë të një rruge dytësore të asfaltuar që e lidh me rrugën nacionale.

Bazilika e Nivicës

Bazilika  është e pozicionuar në juglindje të Nivicës në vendin e quajtur „Kodra e Kuqe“.Shkatërrimi dhe braktisja e saj ka ndodhur në vitin 1336, gjatë ekspeditës shkatërrimtare që Androniku III Paleologu ndërmori në Iliri dhe Epir. Specialistët janë të mendimit se bazilika datohet në shek. XII. Rrënojat e saj ndodhen mbi një kodër poshtë fshatit Nivicë. Mund të vizitohen me anë të një rruge të paasfaltuar, 15 minuta nga rruga nacionale.

Kisha e Shën Vasilit Shën Vasil

Kisha ndodhet në lindje të fshatit dhe e pozicionuar në mes të varrezave..Bazuar në trajtimin e jashtëm dhe teknikat e ndërtimit,studjuesit  e datojnë kishën e vjetër të Shën Vasilit, e cila u shkatërrua nga revolucioni ateist në vitin 1967, në shek.XVIII. Aktualisht paraqitet e restauruar dhe vizitohet lehtësisht në qendër të Shën Vasilit.

Manastiri i Shën Mërisë së Krimarovës Piqeras

Kisha pasbizantine e Shën Mërisë  është ndërtuar në vitin 1672 dhe ndodhet në manastirin e vendosur në një kodër në lindje të fshatit Piqeras. Ajo është e pozicionuar në mesin e manastirit duke patur konakët nga ana veriore dhe perëndimore. Manastiri dallohet për pozicionin strategjik dhe panoramik të ndërtimit të tij.Mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësore, rreth 20minuta mbi fshatin Piqeras.

Kisha e Shën e Premtes Lukovë

Kisha paraqet shëmbullin tipik të bazilikave me kupolë, përbëhet nga naosi dhe ambienti i altarit në të cilën mund të futesh nga dy dyer, respektivisht në anët jugore e perëndimore. Aktualisht gjëndja fizike e saj paraqitet shumë e dëmtuar. Kisha e Shën e Premtes mendohet të jetë ndërtuar në  shekullin XVII.  Vizitohet lehtësisht në njerën nga lagjet e poshtme të Lukovës.

Vendbanimi antik i Hundecovës Hundëcovë

Ndodhet në të majtë të rrugës Borsh-Sarandë, rreth 5km. pasi kalon Lukovën, përballë fshatit rrënojë të Hundecovës, në vendin e quajtur Qafa e Pazarit. Në shpatin e malit dallohen tri tarracime muresh antike që shtrihen paralel njëri me tjetrin. Mendohet të ketë qenë një vëndbanim i vogël ose një stacion rrugor i shek. IV - III p.e.s. Ruhen mirë trakte të mureve antike dhe vizitohet lehtësisht disa metra mbi rrugën nacionale.

Ura e Bratajt

Ura ndodhet në dalje të fshatit Brataj mbi lumin e Shushicës  dhe është me një hark. Në vendin ku është ndërtuar ura dallohen në shtratin e lumit prania e masivëve shkëmborë, gjë që ka diktuar edhe kthesat në planimetrinë e urës.Qemeri i madh i urës së Bratajt ka një hapësirë drite rreth 14m..Ura e Bratajt mendohet të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.Vizitohet lehtësisht disa metra poshtë rrugës automobilistike.

Kalaja e Vranishtit

Kalaja gjendet në fshatin Vranisht i cili quhet në të folurën e popullit dhe „Hora e Vranishtit“ është ndërtuar në një terren të sheshtë dhe ka formën e një pesëkëndëshi. Ka qenë një kështjellë garnizoni për kontrollin strategjik të rrugës. Studjuesit e datojnë në periudhën e hershme të pushtimit turk. Analiza e rrethanave historike konkludon se periudha më e mundshme e ndërtimit të saj është periudha e fushatës së sulltan Sulejmanit të Madhërishmit më 1537.Ruhen muret në gjendje rrënojë dhe mund të vizitohet disa metra poshtë rrugës automobilistike.

Ujësjellësi i Vranishtit

Ujësjellësi është i pozicionuar në rrjedhjen e mesme të Shushicës, në pikën ku me të bashkohen edhe ujërat e përroit të Thatë të Vranishtit. Studjuesit shprehen se ujësjellësi ka patur vlera ndërtimore dhe e datojnë atë midis fundit të shek.XVIII dhe fillimit të shek. XIX.Rrënojat mund të vizitohen lehtësisht poshtë rrugës automobilistike.

Kisha e Shën Gjergjit Brataj

Kisha e Shën Gjergjit ruhet në gjendje rrënojë, muret e së cilës arrijnë lartësinë 3m. në pjesën e naosit. Në anën lindore ku mendohet të ketë qenë ambjenti i altarit,dallohet absida rrethore.E veçantë është prania në pjesën e poshtme të mureve,të blloqeve të mëdha gurësh të gdhendur,të cilat mendohet të jenë marrë nga ndërtesa antike rrotull saj. Bazuar në tipin arkitekturor dhe nga ndërtimi i mureve të absidës,specialistët e datojnë kishën në shek.XIII-XIV.Rrënojat mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësorësh pranë fshatit Brataj.

Kalaja e Karosit Qeparo

Kalaja ndodhet në veri të Qeparoit të vjetër, në majën e kodrës shkëmbore të Karosit dhe vendasit e quajnë edhe maja e Kastelit ose Gradishta. Ana perëndimore e kodrës përfundon me një humnerë që bie pingul në luginën e Kudhësit. Kalaja e Karosit  me tri mure rrethuese paraqet një vendbanim të fortifikuar antik. Mendohet se kalaja e Karrosit datohet në shek.XII-X p.e.s.Ruhen gjurmë të mureve rrethues dhe mund të vizitohet me anë të një udhë të vështirë këmbësorësh, rreth 20 minuta në veri të Qeparoit.

 


Konispoli

Konispoli ndodhet në cepin më jugor të qarkut, rreth 30 km nga Bashkia e Sarandës. Ajo kufizohet në jug me kufirin shtetëror të Greqisë, në lindje me bashkinë Finiq dhe në perëndim me detin Jon. Një nga atraksionet turistike të kësaj bashkie është pika turistike e Buar-it, e vendosur në një kodër të mbuluar me pisha dhe shkurre. Prej këtej, shihet me sy të lirë horizonti i detit Jon, ishulli i Korfuzit, kodrat Stillo deri në Butrint. Lumi Pavlla kalon në gjithë fushën e Konispolit dhe derdhet në Detin Jon. Bashkia Konispol përbën një thesar të objekteve arkeologjike, kulturore dhe historike. Në këtë territor është trashëguar një banesë shpellore, një nga më të rëndësishmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropën Juglindore. Në këtë territor është zhvilluar sektori i blegtorisë, i favorizuar edhe nga tradita mijëvjeçare e banorëve. Sektori i bujqësisë është zhvilluar gjithashtu, sidomos në aspektin agro-kulturor.

Bazilika në fshatin Çiflig

Bazilika ndodhet pranë  Çukës së Ajtoit në një kodër të cilën vendasit e quajnë “Manastir”. Nga muret e tij ruhen në lartësi të konsiderueshme ato të anës perëndimore e lindore kurse të tjerat janë pothuajse të rrënuara. Nisur nga ndërtimi planimetrik e vëllimor studjuesit kanë konkluduar që bazilika është ndërtuar në fundin e shek.XIII. Bazilika ndodhet disa dhjetra metra larg, në të djathtë të rrugës nacionale për në Konispol dhe është lehtësisht e vizitueshme.

Tempulli i Dobrës Vagalat

Kodra mbi të cilën ngrihej tempulli ndodhet në veri të fshatit Vagalat. Në sipërfaqe, buzë rrugës nacionale për në grykën e Bogazit, duken trakte muresh ku dallohet një faqe muri që i përket tempullit. Blloqet janë të punuar bukur nga të gjitha faqet, ku në atë frontale është gdhëndur një dhëmb në formë trekëndëshi. Mendohet se tempulli i Dobrës i përket shek. IV p.e.s. Rrënojat e tempullit mund të vizitohen ngjitur me rrugën nacionale.

Çuka e Ajtoit Çiflig

Çuka e Ajtoit ndodhet disa km. në perëndim të Konispolit mbi një kodër strategjike që  ka formën e një koni rreth 350m. të lartë,  prej nga zotërohet e gjithë zona rreth e rrotull. Gjurmë muresh dhe godinash duken në të gjithë sipërfaqen e kodrës. Çuka e Ajtoit ka egzistuar në formën e një qyteti antik dhe të një kalaje mesjetare. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar tre shtresa, duke filluar nga shek.IV-III p.e.s.  deri në shek.III-IV e.s. Për të vizituar rrënojat e Çukës së Ajtoit duhet të ecësh rreth gjysëm ore në këmbë në një terren të vështirë shkëmbor.

Fortesa e Malathresë Mursi

Fortesa ndodhet pranë shpatit perëndimor të malit të Milesë, mbi një kodër jo shumë të lartë, disa dhjetra metra mbi rrugën nacionale që shkon për në Konispol. Fortesa me  një planimetri katrore, ka në qoshet e saj katër kulla dhe mbulon një sipërfaqe prej rreth 1300 m². Fortesa e Malathresë ka luajtur rol në kontrollin e rrugës antike tregtare nga Butrinti në Ambraki. Studjuesit e datojnë në shek. III p.e.s. Është lehtësisht e vizitueshme nga rruga nacionale.

Kalaja e Mahallasë

Kalaja ndodhet në jug të Sarandës, pranë fshatrave Gravë dhe Mahalla. Është ndërtuar mbi një kodër të ulët nga ku dominohet një pjesë e lumit Pavlla. Kështjella ka formën e një trapezi  dhe  muret ruhen në mjaft vënde në lartësinë e tyre maksimale.Arkitektura e ndërtimit dhe elemente të veçantë e datojnë kështjellën e Mahallasë në fundin e shek.XVIII. Nga burime të tërthorta studjuesit e datojnë atë në vitin 1787, si një ndërtim të Ali Pashë Tepelenës. Mund të vizitohet lehtësisht,rreth 50m. mbi rrugën automobilistike.

Shpella e Shën Marenës Bogaz

Shpella gjëndet në majën e malit Milesë, në faqen jugore, në grykën e Bogazit pranë Konispolit. Shpella paraqet një zgavër të madhe shkëmbi natyror me përmasa  të mëdha. Faqet e rrafshta të shkëmbit janë suvatuara dhe zbukuruara me piktura kishtare, por të dëmtuara shumë. Mendohet që pikturat të jenë të shek.XII. Shpella ndodhet në lartësi të madhe dhe  paraqet vështirësi për t’u vizituar.

Fortesa e Vagalatit

Fortesa përbëhet prej një ambienti dhe një muri me gjatësi 26m. Lartësia maksimale e mureve aktualisht ruhet  deri në 7.10m. Fortesa mendohet të jetë e shek III p.e.s. dhe ka shërbyer si pikë vrojtimi në ruajtje të rrugëve në Antikitet.Gjendet në lartësi të madhe mbi shpatin e malit të Milesë dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

Xarra

Xarrra ndodhet afro 3km. në lindje të Butrintit. Vendbanimi datohet qysh në periudhën e Paleolitit të Mesëm, 70000-40000 vjet më parë dhe në kodrën 20m. të lartë ka patur një shtrirje në një sipërfaqe prej rreth 1ha.Aktualisht vendbanimi paraqitet shumë i dëmtuar nga veprimtaria humane e shekullit të kaluar.Pothuajse nuk ruhen gjurmë të vendbanimit.

Palokalaja e Janjarit

Kodra e Palokalasë ngrihet rreth 1500m. në lindje të fshatit Janjar, në breg të lumit Pavlla. Në majë të kodrës, me sipërfaqe rreth 0.3ha, dallohen gjurmët e një fortifikimi antik, me trajtë katërkëndëshe me përmasa 45m. x 20 m. Studjuesit mendojnë se vendbanimi datohet në periudhën e Hekurit,shek.X p.e.s. Rrënojat gjenden larg rrugëve të komunikimit dhe paraqesin vështirësi të mëdha për t’u vizituar.

Kalaja e Paleomanastirit Karoq

Vendbanimi ngrihet rreth 3km. në perëndim të fshatit Karroq,përballë fshatrave Ninat dhe Markat. Kalaja ka patur planimetri katërkëndshe dhe aktualisht në sipërfaqen e kodrës dallohen vetëm trakte muresh dhe tarracimi ,si dhe rrënoja godinash. Kështjella datohet në shek.IV p.e.s.  por në shtratin e saj dallohen edhe riparime gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë, ku janë përdorur edhe blloqe gurësh antikë. Rrënojat e kalasë ndodhen larg rrugëve të komunikimit dhe janë të vështira për t’u  vizituar.


Finiqi

Finiqi shtrihet në një territor malor, ku bien në pah vargjet e rajonit malor jugor, si Malet e Shtugarës rreth 2000 metra mbi det. Pranë ndodhen zonat masive pyjore të Dhrovjanit, Malinës, etj, që përbëjnë edhe potencial për zhvillimin e turizmit malor. Lumi Bistriceë përshkon pothuajse tërë territorin e bashkisë. Ndër zonat turistike malore është Dhrovjani, i vendosur në një tërësi tektonike rreth 400-500 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë është e pasur me objekte kulturore, disa prej të cilave janë shpallur edhe monumente kulturore si manastiret e Shën Kollit, të Mesopotamisë dhe Shën Marisë, të cilat përbëjnë edhe një tërheqje të veçantë për komunitetin turistik, sidomos atë të huaj. Në këtë territor përfshihet edhe një prej parqeve kryesorë arkeologjikë, parku i Finiqit, i cili gjurmon vlera monumentale historike, kulturore dhe arkeologjike.

Kisha e Shën Gjergjit Leshnicë e Sipërme

Nga mbishkrimi i pikturës murale kisha datohet në vitin 1525 dhe e veçantë për të është trajtimi i varfër arkitektonik e dekorativ i jashtëm dhe thjeshtësia e hapësirave të brendshme. Ajo përbëhet nga naosi dhe nga hajati i hapur, është pa tavan dhe  e mbuluar me çati druri e rrasa guri. Një ikonostas i vjetër dhe i thjeshtë prej druri ndan ambientin e altarit nga absida rrethore. Kisha është e pozicionuar në hyrje të fshatit Leshnicë e Sipërme dhe vizitohet lehtësisht.

Ura e Leshnicës së Poshtme

Mbi lumin e Leshnicës ndodhet një urë guri me gjatësi 13m. e lartësi 4.5 m. mbi nivelin e ujit. Përbëhet vetëm prej një harku me hapësirë drite 6 m. Qemeri i harkut dhe muret bregore janë realizuar me pllaka guri shtuforë. Ruhet në gjendje të mirë,është akoma në përdorim dhe datohet në shek XIX.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës automobilistike.

Ura e Leshnicës së Sipërme

Është një urë e vogël tipike fshati, ngjitur me kishën e Shën Gjergjit. Ka një gjatësi 10m. dhe lartësi mbi nivelin e ujit 2.6m. Përbëhet prej një harku rrethor dhe prej një dritareje lehtësuese që ndodhet djathtas tij. Formulimi arkitektonik dhe zgjidhjet konstruktive janë interesante. Ruhet në gjendje të mirë dhe datohet në shek.XIX.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës automobilistike.

Ura Cerkovicës

Ura e Cerkovicës paraqet interes nga ana konstruktive dhe në aspektin arkitektonik. Kalldrëmi i urës me gjatësi 37m. është i kurbëzuar dhe ka lartësi 5.6m. mbi nivelin e ujit. Harku i madh në anën e majtë ka formën e gjysmërrethit dhe mbi ballin e tij ruhen akoma dy ganxha hekuri për mbërthimin e gurëve ballorë midis tyre. Datohet në fillim të shek.XIX. Ura ruhet në gjendje të mirë dhe është e vizitueshme pranë rrugës automobilistike.

Kisha Shën Kollit Dhrovjan i Sipërm

Kjo është një kishë trekonkëshe e përbërë nga naosi dhe narteksi. Muret përfundojnë me kornizë të rrafshët mbi të cilat ngrihet çatia me rrasa guri. Nisur nga sistemi planimetrik, specialistët shprehen se ndërtimi i kishës duhet t'i takojë fundit të shekullit të XVI.Dallohen disa duar rindërtimi ku i fundit datohet në vitin 1736. Kisha  vizitohet lehtësisht  në qendër të fshatit Dhrovjan.

Puset e vjetra të Dhrovjanit

Në Dhrovjanin e Sipërm e të Poshtëm ndodhen disa puse të vjetra në formë çisterne. Puset nga trajtimi planimetriko - volumor kanë formën e sterave. Ndërtimi i tyre përkon me atë periudhë të ndërtimit të shumë banesave të vjetra përreth. Pusi më i vjetër i datuar gjendet në Dhrovjanin e Sipërm, i përket vitit 1843 kurse në Dhrovjanin e Poshtëm daton në vitin 1876. Vizitohen lehtësisht në qendër të Dhrovjanit.

Manastiri i Shën Kollit Dhivër

Manastiri ndodhet në jug të fshatit Dhivër dhe aktualisht dallohen kisha dhe një nga konakët e ndërtuar më vonë. Bazuar në tipologjinë e naosit, specialistët shprehen se kisha është ndërtuar rreth fundit të shek XVI-fillimit të shek.XVII   kurse mbishkrimi 1736 paraqet vitin e pikturimit të saj. Në kompleks kisha paraqitet e zhvilluar, me pamje të hijshme dhe hapësirë të brendshme të goditur. Vizitohet lehtësisht disa dhjetra metra mbi rrugën automobilistike për në Cerkovicë.

Kisha e Shën Mërisë Malcan

Kisha përbëhet nga kisha e vjetër dhe një narteks i ndërtuar më vonë nga ana perëndimore.Naosi paraqitet  në formë kryqi me kupolë. Duke u bazuar në tipologjinë dhe dekoracionin e tamburit, të afërt me atë të kishave bizantine, specialistët mendojnë se ajo është ndërtuar midis fundit të shek.XVI dhe fillimit të shek.XVII. Ruhet në gjendje deri diku të mirë dhe mund të vizitohet pranë fshatit Malçan, me anë të një rruge automobilistike të paasfaltuar.

Kisha e Shën Thanasit Leshnicë e Poshtme

Kisha është ndërtuar në vitin 1797. Përbëhet nga narteksi, mbuluar me çati druri, naosi i tipit bazilikal dhe ambienti i altarit i cili ndahet nga naosi me ikonostas druri.Kisha mbulohet me çati me rrasa guri mbi të cilin lartohet  tamburi tetëfaqësh. Kisha ndodhet dhe vizitohet lehtësisht  buzë rrugës automobilistike që lidhë Leshnicën e Sipërme me atë të Poshtme.

Manastiri i Dhivrovunit Dhivër

Manastiri është  i pozicionuar në malin mbi fshatin Dhivër, nga i cili ka mbërritur  e plotë vetëm kisha, e cila sipas mbishkrimit figuron e pikturuar në vitin 1604.  Kisha e Shën Mërisë është e tipit bazilikal dhe kompozimi vëllimor i jashtëm i kishës paraqet një vëllim të zgjatur prizmatik. Manastiri ndodhet në një pozicion të vështirë mbi malin e Dhivrit dhe ka vështirësi për t’u vizituar.

Shpella e Shën Gjergjit Dhivër

Shpella është një zgavër natyrale dhe  paraqet një paraklis të përbërë prej një koridori dhe prej naosit. Faqet e shkëmbit janë të suvatuara dhe të pikturuara, por shumë të dëmtuara dhe datohen nga fundi i shek. IX. Mendohet që shpella të ketë shërbyer si shpellë eremite e më pas si paraklis ku shërbenin murgjit e manastirit të Dhivrovunit, mbi malin Mavrodhivri. Shpella "Kisha e Shën Gjergjit" ndodhet rreth 1 orë rrugë në këmbë në veri të fshatit Dhivër, në një faqe shkëmbi që shikon nga perëndimi dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

Kalaja e Malçanit

Mbetjet e kalasë duken në sipërfaqe të kodrës së Ilias, në jugperëndim të fshatit  Malçan. Qyteza ka patur planimetri rrethore me sipërfaqe rreth 10ha. Gjurmët e murit rrethues dallohen në anën verilindore të kodrës në gjendje jo të mirë, ku vende vende kanë mbetur vetëm grumbuj gurësh. Kalaja datohet në shek. III p.e.s. Gjendet larg rrugëve të komukimit dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

Kalaja e Dishatit

Kalaja e Dishatit ngrihet në një kodër rreth 600m. të lartë, të quajtur Çuka e Qytezës, midis maleve Mëllez dhe Saraqin. Muret e kalasë rrethojnë majën e kodrës në një sipërfaqe rreth 1500m2 me gjatësi të mureve rreth 150m. Rruga për në kala gjarpëron nëpër shpatin perëndimor, e shtruar me gurë e  me mure mbajtës te kthesat. Mendohet që kalaja të jetë e periudhës së Parë të Hekurit. Dallohet traseja e mureve antike por ndodhen larg rrugëve të komunikimit dhe paraqet vështirësi për t’u vizituar.

 


Delvina

Delvina shtrihet në pjesën jugore të qarkut. Është 12 km larg qytetit të Sarandës. Qyteti i Delvinës është konsideruar qendër mesjetare e zhvilluar në shekullin XV-XIX , ku dallohej për tregtinë dhe punimet artizanale. Posedon një sërë monumentesh si: Kalaja e Delvinës, Kisha e Gjin Alexit, Rusan, Manastiri i Kamenos, Manastiri i Kostarit, Manastiri i Kakodhiqit, kompleksi islamik i Delvinës etj. Ndër zonat e mbrojtura në territorin e komunës gjenden burimet e Syrit të Kaltër, e shpallur si "Monument i Natyrës". Territori i bashkisë ka një pamje të hapur të sfondit drejt detit Jon, fushës së Vurgut, liqenit Buthrotum, fushave të Bushecit dhe Lefkës dhe burimeve të Oknosit të Syrit të Kaltër. Aktivitetet natyrore turistike që kanë potencialin për zhvillim janë turizmi malor, veror dhe dimëror.

Manastiri  Kamenosë Delvinë

Manastiri është ndërtuar në vitin 630 por ka  patur edhe një rindërtim  në vitin 1032. Kisha e Shën Mërisë është rindërtuar në vitin 1580 dhe është restauruar nga piktori Mihal nga Jerma, në vitin 1662. Manastiri ka patur një bibliotekë shumë të pasur dhe porta e jashtme e tij ka patur përpunim dekorativ të veçantë me hark të dyfishtë. Ruhet në gjendje të mirë kisha por ka dëmtime të mureve dhe konakëve të manastirit.Manastiri ndodhet i pozicionuar rreth 2km. në lindje të Delvinës dhe mund të vizitohet me anë të një rruge të pasfaltuar.

Xhamia e Gjin Aleksit Rusan

Xhamia ndodhet në qendër të fshatit Rusan dhe përbën një kompleks arkitektonik së bashku me dy tyrbe. Përmendet nga historiani turk E.Çelebiu në shek.XVII. Specialistët janë të mendimit se ajo është ndërtuar midis fundit të shek.XVI dhe fillimit të shek.XVII. Ruhet në gjendje deri diku të mirë.Ka patur edhe ndërhyrje  restauruese nga institucionet shtetërore.Vizitohet me anë të një rruge të asfaltuar nga Delvina për në fshatin Rusan

Kështjella e Delvinës

Ndodhet në qytetin e Delvinës, në një pikë strategjike që ka dominuar zonën përreth. Kështjella ka një sipërfaqe prej 0.17ha, ngrihet mbi një kurriz  kodre dhe në truallin brenda saj  dallohen  rrënoja të ndryshme. Bazuar në të dhënat historike dhe teknikën e ndërtimit fillestar të saj, kështjella e Delvinës fillimet e saj i ka në shek. XI - XII dhe formën e plotë e arrin në shek. XIII - XIV. Ruhen muret rrethuese dhe është e vizitueshme me anë të një rruge automobilistike.

Kompleksi islamik Delvinë

Kompleksi islamik përfaqëson kullijen e dikurshme osmane, në përbërje të të cilës hynin banja, xhamia,tyrbet,imareti, krojet etj. Në përgjithësi objektet ruhen gjendje të mirë edhe për faktin se kanë patur një restaurim gjatë viteve të fundit.Janë të vizitueshme  me rrugë nga qendra e Delvinës.

Banja e Delvinës

Ndodhet në lagjen e vjetër Xhermëhallë, ngjitur me kalanë mesjetare. Banja ruhet në gjendje relativisht të mirë dhe vitet e fundit është përfshirë në projektin e restaurimit të  kompleksit islamik  në lagjen Xhermëhallë.Është e vizitueshme me anë të rrugës automobilistike nga qendra e Delvinës.

Ansambli ndërtimor Rusan

Ansambli shtrihet në një terren të rrafshët  dhe fuqia ekonomike e pronarit ka bërë që mjeshtrat ndërtues t‘i kushtojnë një përkujdesje shëmbullore ndërtimit të tij. Banesa është një ndërtim familjar dhe brenda saj përmblidhen të gjitha funksionet jetësore të asaj periudhe, duke  krijuar një harmoni të plotë në kompozimin arkitektonik të  ansamblit. Ansambli është ndërtuar në vitin 1858. Ruhet në gjendje shumë të dëmtuar dhe mund të vizitohet me anë të rrugës automobiliste përmes fshatit Rusan.

Fshati rrënojë i Kamenicës

Kamenica përmendet në regjistrin osman të vitit 1431 - 32 me gjithsej 262 banesa. Dhe shtrihej mbi dy kodra të bashkuara mes tyre me një qafë. Rrënojat ruhen në gjendje të mirë për shkak të punimit me cilësi dhe lidhësit të fortë me të cilin janë punuar. Gjendja pothuajse e njëllojtë e rrënojave të banesave vërteton mendimin për një braktisje kolektive të fshatit për arsye madhore. Si periudhë e braktisjes mendohet të jetë midis fundit të shek XVI e fillimit të shek XVII.

Kishat e Kamenicës

Kamenica ka patur  shtatë kisha të shpërndara në lagjet e fshatit, të gjitha  me konstruksion guri të punuar ashpër dhe të thjeshta në planimetri. Përveç kishës që ndodhet në perëndim të fshatit dhe që datohet midis shek.XIV-XV, të gjitha kishat e tjera janë të periudhës para turke dhe ruhen deri në nivelin e çatisë. Janë të vizitueshme nga ana e rrugës automobilistike Delvinë-Rrëzomë.Ngjitja në kodër realizohet më vështirësi për shkak të terrenit të thyer.

Kisha e Senicës

Kisha paraqet  një bazilikë trenefshe të ndërtuar në vitin 1896. Pranë saj ndodhet një këmbanore, që daton e ndërtuar më 1818 dhe që  është unikale në të gjithë zonën. Këmbanorja është më e vjetër dhe  mendohet se kisha është ngritur në themelet e një kishe më të vjetër. Kisha ka patur një restaurim kohët e fundit dhe ndodhet mbi fshatin Senicë.Është e vizitueshme me anë të rrugës automobilistike për në fshatin Senicë.

Varri i Vergoit

Varri familjar i Vergoit ka formën e katërkëndëshit këndrejtë dhe është ndërtuar në vitin 1827. Dallohet pjesa e sipërme e muraturës e punuar me mjeshtëri. Fillimisht varri ka qenë i mbulur me çati. Ruhet në gjendje relativisht të mirë brenda fshatit Vergo.Është lehtësisht i vizitueshëm.

Urat e gurta Rrëzomë Delvinë

Rrëzoma përfaqësohet nga lugina e lumit të Kalasës dhe  gjatë periudhës së Mesjetës, janë ndërtuar shumë rrugë me kalldrëm dhe ura të gurta. Urat e Rrëzomës datohen të ndërtuara kryesisht gjatë periudhës së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, nga fundi i shek XVIII deri në mesin e shek. XIX.

Ura e Çinës

Ura e Çinës, ndodhet në rrugën Delvinë – Bregu i Detit, kalldrëmi i së cilës ruhet akoma mirë dhe  kalon rrëzë vargmalit të Lavanit. Sipas gojëdhënës, ura është ndërtuar për nder të një gruaje. Ka vetëm një hark në formë segmenti rrethor me mbështetje të pjerrëta, ruhet në gjendje të mirë dhe ndodhet pranë rrugës automobilistike.Është lehtësisht e vizitueshme disa dhjetra metra poshtë udhës automobilistike.

Ura e Tatzatit

Ura ka qenë ndërtuar mbi lumin e Kalasës,pranë burimeve të tij dhe nën kreshtën shkëmbore mbi të cilën ngrihet fshati Tatzat.Ura ka patur vetëm një hark madhështor më hapësirë 9m. Aktualisht është jashtë funksionit për shkak se u rrënua para disa viteve.Ruhen këmbët e urës në të dy brigjet e lumit.Është lehtësisht e vizitueshme pranë rrugës automobilistike.

Ura Jesir I

Ura ndodhet rreth 200m. poshtë urës së Tatzatit në drejtim të jugut me një lartësi të harkut prej 3.2m. Harku ka një hapësirë drite preh 8.8m.Ura ka patur parapet nga gjurmët në anët e kalldrëmit. Ura ruhet në gjendje të mirë por nuk përdoret më.Është lehtësisht e vizitueshme për shkak të afërsisë me rrugën automobilistike.

Ura e Kalasës

Ura e Kalasës ndodhet pranë një mulliri që daton në vitin 1910, sipas një mbishkrimi në paturën e derës dhe një dërstile në formën e një vaske të hapur në shkëmb për përpunimin e leshit.Ura ka lidhur dy lagje të Kalasës dhe ka qenë në funksion deri vitet e fundit.Gjatësia e urës është 20m. me hapësirë drite 9m. Në të dy anët e urës ruhen kalldrëmet e rrugëve që lidhnin dikur Kalasën me Bregun e Detit. Ura ruhet në gjendje të mirë dhe ngjitur me të është ndërtuar një urë betoni për makinat.Lehtësisht e vizitueshme midis lagjeve të fshatit Kalasë.

Ura Jesir II

Edhe kjo urë ka qenë në funksion të lidhjes së dy lagjeve të vjetra të fshatit Kalasë. Ura ruhet në gjendje të mirë dhe të imponohet për gjatësinë e saj prej 35m. Kalldrëmi i urës ka patur dy duar ndërtimi nga të cilat faza e parë ka përdorur gurë gëlqeror të vendosur këlliç. Kryesisht është në përdorim të blegtorëve të zonës gjatë transportit me kuaj.

FINIQI (Foinike)

Finiqi ka qenë një qendër e madhe dhe e rëndësishme ekonomike - shoqërore, kulturore e politike në Epir, qysh në  shek V p.e.s. Ajo e vazhdoi jetën e saj gjatë gjithë periudhës qytetare, deri në Antikitetin e Vonë. Lindja e qytetit në  shek. V p.e.s. përcakton periudhën e parë të zhvillimit të tij. Shek. IV p.e.s. deri në shek. I p.e.s.  shënon  zhvillimin më  të madh të qytetit që rrethohej me mure 2km. të gjata në një sipërfaqe deri në 57ha. Qyteti i Finiqit arrin kulmin kur bëhet kryeqytet i Epirit në periudhën e Lidhjes Epirote, gjatë shek.III p.e.s. Aktualisht në Finiq vazhdojnë kërkimet shkencore dhe arkeologjike. Qyteti i Foinikës ndodhet 9km. në lindje të Sarandës dhe rruga e re automobilistike ka lehtësuar vizitat turistike.

Kisha e Shën Thanasit Pecë

Kisha është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1525. Është kishë e vogël, me ikonostas druri që ambientin e altarit nga  absida gjysëm rrethore. Kisha përmendet për praninë  në afresket e ikonostasit  të saj të portretit të Shën Terinit, i cili u martirizua në Butrint në shek.II e.s. Kisha ruhet në gjendje të mirë dhe ndodhet midis fshatit Pecë dhe rrugës nacionale Delvinë-Muzinë.Lehtësisht e vizitueshme.

Manastiri i Shën Triadhës Kardhikaq

Manastiri ndodhet mbi një kodër strategjike, e cila me pozitën e saj zotëron territorin përreth fshatit Kardhikaq. Kisha pasbizantine e Shën Triadhës dhe muret rrethuese të konakëve të manastirit ndodhen në gjendje rrënojë. Bazuar në një mbishkrim, specialistët mendojnë se kisha është restauruar në vitin 1827.  Specialistët shprehen se kisha datohet në fundin e shek.XVI.Arrihet për rreth gjysëm ore me anë të një rruge këmbësore nga ana e fshatit Kardhikaq.

Manastiri i Shën Kollit Mesopotam

Manastiri i fortifikuar i Shën-Kollit ndodhet në një kodër pranë fshatit Mesopotam, 3km. në lindje të fshatit Finiq dhe 15km. në lindje të Sarandës. Aktualisht kanë mbijetuar kisha, konakët dhe rrënoja të mureve. Kisha e Shën Kollit  është ndër kishat bizantine më të mëdha që ruhen në Shqipëri, e veçantë si tip arkitektural dhe   paraqitet me mjaft meremetime, nga duar dhe në kohë të ndryshme të cilat ia kanë ndryshuar pothuajse krejtësisht pamjen.  Gojëdhënat flasin për një manastir të fortifikuar, shumë të vjetër, të ndërtuar mbi një tempull pagan, të cilin studjuesit  ia atribuojnë Poseidonit. Në muret e kishës së Shën Kollit  në Mesopotam dhe rreth saj ndodhen disa fragmente arkitektonike të periudhës helenistike. Kisha datohet në shek.XIII.Është lehtësisht e vizitueshmë,rreth 1km. larg nga rruga nacionale.

Vendbanimi i fortifikuar i Qiroflekasit Vergo

Vendbanimi ndodhet i pozicionuar midis fshatrave Senicë e Vergo, në një kodër që zotëron territorin rreth e qark dhe nga vendasit quhet edhe  Rrathët e Qiroflekasit. Muri rrethues  i përbëhet prej blloqe gurësh me përmasa të ndryshme që arrin një gjerësi deri në 2.50m. Brenda rrethimit dallohen disa banesa me mure në formë eliptike. Vendbanimi datohet në periudhën e Bronzit të Vonë. Ndodhet në gjendje të rrënuar dhe me vështirësi pë t’u arritur vetëm me udhë këmbësore.

Kështjella e Kalasës

Kalasa përmendet si kështjellë për herë të parë më 1581 me emrin Kasteli dhe nën sundimin e Venedikut. Më 1670  u pushtua nga Gjedik Ahmet Pasha nën sulltan Bajazitin II. Kështjella ka qenë ndërtuar mbi një kodër në të majtë të lumit të Kalasës. Bazuar në të dhënat planimetrike dhe ngjarjet historike, kështjella e Kalasës mendohet të jetë ndërtuar midis viteve 1537 - 1570. Ruhet në gjendje të rrënuar brenda fshatit Kalasë dhe është lehtësisht e vizitueshme.


 

Close