Njoftime

Takimi Kick off i projektit ADRINET i realizuar ne Malin e Zi ne 12-13 Maj 2018

Në datat 17-18 Maj 2018 Këshilli i Qarkut Vlorë mori pjesë në takimin e parë Kick off të
projektit “ADRINET: Rrjeti Adriatik për Ekosistemin Detar”, projekt që do të zbatohet në
kuadër të Programit Ndërkufitar IPA II Itali-Shqipëri-Mal i Zi 2014-2020.
Projekti ADRINET do t’i fokusojë veprimet në përmirësimin e një plani të përbashkët trilateral
për ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemit detar në rajonin e Pulias, qarkun e Vlorës dhe zonën
e Herceg Novit e Kotorit në Malin e Zi duke trajtuar posaçërisht fenomenin e “peshkimit
fantazëm”. Ky fenomen ndodh atëherë kur peshkatarët humbasin, hedhin apo braktisin rrjetat dhe
çdo material tjetër të përdorshëm për të kapur peshk në det. Rrjetat e peshkimit dhe çdo material
tjetër i prodhuar nga njeriu që përdoret për kapjen e peshqve dhe organizmave të tjerë detarë
bëhen objekt i peshkimit fantazëm, në rastet kur nuk mbikëqyren me përgjegjësi dhe bëhen
“kurthe” për peshqit dhe për të tërhequr si në një rreth vicioz të tjerë organizma detarë, duke
rezultuar në stoqe të tëra të peshqve të zhdukur. Nga ana tjetër materiali i prëdorur për pajisjet e
peshkimit kërkon dekada të tëra deri edhe shekuj për t’u shpërbërë, duke shkaktuar ndotje të
mjedisit detar.
Në funksion të ofrimit të alternativave më të mira për zgjidhje, qoftë edhe një praktike të
përbashkët pozitive për këtë çështje, projekti ADRINET ka parashikuar përcaktimin e një
strategjie të përbashkët për trajtimin e fenomenit në zonat e përfituesve si dhe inisiativës së
veprimeve pilot me rezultate konkrete. Nga ana tjetër projekti do të ofrojë shërbime, mbështetje
shkencore dhe trajnime për komunitetin e peshkatarëve në veçanti dhe të publikut konsumator në
tërësi.
Objektivi i përgjithshëm
Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar mbi çështjet detare përmes përcaktimit të protokolleve dhe
mjeteve të përbashkëta të menaxhimit të peshkimit.
Objektivat:

1. Krijimi i një rrjeti ndërkufitar midis partnerëve në lidhje me praktikat më të mira mbi
peshkimin, specifikisht në shfrytëzimin dhe kontrollin e peshkimit fantazëm.
2. Krijimi i një grupi të qëndrueshëm Task Force mbi çështje të peshkimit dhe zbatimi i
qendrave të referencës për të dhënë mbështetje teknike dhe për të mbledhur të dhëna mbi
peshkimin dhe akuakulturën.
3. Transferimi i aftësive të përditësuara te ekspertët e peshkimit në lidhje me kontrollin
mikrobiologjik dhe kimik të ujit të detit.
4. Përcaktimi i një sistemi gjurmues dhe parandalues për peshkimin fantazëm.
5. Zbatimin e një strategjie të përbashkët për të luftuar fenomenin e peshkimit fantazëm
duke pastruar fundit e detit, sidomos në zonat me ndjeshmëri të lartë mjedisore.
6. Promovimi i peshkimit duke informuar publikun e gjerë dhe orientuar konsumatorin.
Partnerët e këtij projekti janë:

 Universiteti i Studimeve në Bari, Itali
 Bashkia e Kastros, Itali
 Bashkia e Herceg Novi, Mal i Zi
 Universiteti në Kotorr, Mal i Zi
 Universiteti Bujqësor i Tiranës, Shqipëri
 Keshilli i Qarkut Vlorë, Shqipëri

Ky takim pati si qëllim, jo vetëm njohjen më nga afër të partnerëve dhe rolit të gjithsecilit në
këtë partneritet për zbatimin e projektit të përbashkët ndërkufitar, por edhe diskutimin e
çështjeve të rëndësishme për nisjen e projektit si: plani i përbashkët i aktiviteteve, plani i
prokurimit, procedura të raportimit dhe detaje specifike për modifikim të buxhetit, plani i
komunikimit dhe udhëzimet për kërkimin shkencor që do realizohet nga departamentet
akademike që janë përfshirë në projekt nga të treja vendet pjesëmarrëse.
Përveç përmbushjes së këtij qëllimi, ky takim shërbeu edhe për njohjen dhe ofrimin e
alternativave për zgjidhje të sfidave, që përgjithësisht përfituesit përballen gjatë zbatimit të
projekteve, të tilla si: mbulimi i kostos së bashkëfinancimit prej 15% , procedurat për
rimbursimin e TVSH, kushtëzimi i një llogarie të dedikuar për projektin nga lidhja e kontratës
midis partnerit Lider dhe Autoriteti Menaxhues, respektimi i procedurave tw prokurimit bazuar
ne legjislacionin vendas dhe PRAG, etj.
Duke konsideruar të rëndësishëm pjesëmarrjen në këtë takim të projektit me një tematikë
prioritare siç është peshkimi, por edhe krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm me partnerë të
rinj për institucionin, Këshilli i Qarkut Vlorë mori pjesë me delegacionin e përbërë nga Kryetari
z. Ervis Moçka, Sekretari i Këshillit z. Vllasi Nasaj, Këshilltarja për projektet znj Valbona
Avdullaj dhe Drejtore e financës znj Jeta Xhelilaj.

Prezantimi i institucionit para partnerëve u fokusua në 4 pika kryesore:
 Roli dhe funksioni i qarkut bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore
 Potencialet e qarkut Vlorë bazuar në Planin Strategjik 2011-2020 “Emetime 0”
 Përvojat e qarkut në përfshirjen e programeve të BE-së
 Roli i qarkut Vlorë në projektit ADRINET

Në këtë projekt qarku Vlorë do të jetë i përfshirë në zbatimin e 5 paketave të punës nga 6 paketa
në total të projektit.
 Paketa 1: Menaxhimi dhe koordinimi i aktiviteteve të projektit përmes pjesëmarrjes në
takimet e projektit dhe realizimit e zbatimit të planit të komunikimit.
 Paketa 2: Promocioni përmes fushatës ndërgjegjësuese për publikun e gjerë në median
lokale dhe kombëtare, realizimit të fletëpalosjeve dhe posterave informues.
 Paketa 4: Krijimi i një këndi informues dhe trajnues për komunitetin e peshkatarëve për
çështje që lidhen me peshkimin fantazëm. Kjo paketë do të synojë edhe realizimin e një ankete për            identifikimin e rrugëve dhe vendeve të peshkimit, të dhëna që do të transformohen elektronikisht në një     hartë GPS.

 Paketa 5: Ralizimi i një Marrëveshje të Përbashkët Mirëkuptimi midis tre vendeve duke
u fokusuar në politikat multilaterale dhe ndërkufitare për çështjen e peshkimit fantazëm.
 Paketa 6: Kjo paketë parashikon veprimet pilot që do të synojnë pastrimin e zonës së
përcaktuar detare nga rrjetat me ndihmën e anijeve të peshkimit dhe grupeve të zhytësve
që do të përfshihen në projekt. Përmes kësaj pakete do të realizohet edhe një sistem GPS
që do facilitojë gjithë veprimet e kësaj faze si edhe pajisjen e rrjetave të peshkakarëve me
mikroçipe për monitorimin dhe ndërhyrjet e nevojshme edhe pas përfundimit të projektit.

Pas një analize në terren të realizuar nga ekspertë të qarkut Vlorë këto veprime pilot do të
fokusohen ne Gjirin e Vlorës në zonat potenciale që mund të kenë problematikat më të theksuara
me çështjen e peshkimit fantazëm.
Për më shumë informacion gjeni informacionin e prezantimit bashkëngjitur.

Për më shumë: Prezantimi ne kick off ADRINET


Takim për  problematikën e linjave të transportit urban.

Më datë 19/02/2108 në sallën e mbledhjeve , Këshilli i Qarkut Vlorë organizoi një takim për  problematikën e linjave të transportit urban. Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga bashkitë  Drejtorë   të  Drejtorisë së Shërbimeve së bashku me specialistët përkatës.

Në takim u diskutuan oraret e stacioneve të qëndrimit dhe u arrit në një zgjidhje të dakortësuar  nga çdo bashki .


105 vjet Polici e Shtetit!

Kryetari z. Ervis Moçka mori pjese te, aktiviteti i zhvilluar nën përkujdesjen e drejtorit Gentjan Shehaj pranë ambjenteve të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Vlorë. Të pranishëm Kryetari i Këshillit të Qarkut Ervis Moçka, Prefekti i Qarkut, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Konsullja e përgjithshme e Italisë, veteranë e familjarë të efektivëve të policisë.


Mbledhja e radhës së Këshillit të Qarkut të përcaktuar sipas rendit të ditës.

 

Më datë 20/12/2017 në sallën e mbledhjeve pranë Këshillit të Qarkut Vlorë u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit të Qarkut të përcaktuar sipas rendit të ditës.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i Këshillit të Qarkut z. Ervis Moçka, i cili theksoi përmbajtjen shumë të rëndësishme të kësaj mbledhje , pasi miratohet projekt buxheti afatmesëm përfundimtar për periudhën 2018 - 2020.

Në mbledhje anëtarët e Këshillit kaluan me shumicë vote :
- Miratimin e projektvendimit të strukturës së Këshillit të Qarkut Vlorë për vitin 2018 .
- Miratimin e projektvendimit të kalendarit të programit buxhetor afatmesëm vjetor “2019-2021”.
- Miratimin e projektvendimit të buxhetit të Këshillit të Qarkut Vlorë për vitin 2018.
- Miratimin e vendimeve për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme të ndërtuara deri më 10.08.1991, e truallit funksional të tyre,kur nuk posedohen akte fitimi pronësie dhe për regjistrimin e tyre – Bashkia Vlorë, Bashkia Sarandë, Bashkia Delvinë.
- Miratimin e projektvendimit të sistemimit të një fëmije në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollor Sarandë ,sipas kërkesës që Qarku merr nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në çdo bashki.

Kryetari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për një zhvillim të qëndrueshëm rajonal dhe një klimë pozitive ndërmjet aktorëve lokal dhe qeverisjes vendore në funksion të mirëqenies së banorëve të qarkut Vlorë.
Për më shumë informacion vizitoni faqen e Këshillit të Qarkut Vlorë, seksioni: Home > Këshilli > Vendime


Mbledhja e Katërt e Komitetit Drejtues të Programit "Zhvillimi i Integruar i Qëndrueshëm i Rajonit të Bregdetit Jugor"

Më 19 dhjetor 2017, u mbajt Mbledhja e Katërt e Komitetit Drejtues të Programit "Zhvillimi i Integruar i Qëndrueshëm i Rajonit të Bregdetit Jugor", me pjesëmarrjen e Z. Ervis Mocka Kryetarit te Këshillit të Qarkut Vlorë, Z. Gledian Llatja - Shef i Kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë; Z. Artan Shkreli - Zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; Z. Hajrulla Çeku- Zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Agjencia e Planifikimit të Territorit Kombëtar, Bashkia Himare, Agjencia Kombëtare e Turizmit, AZHR4, GIZ Albania etj. Gjatë takimit u prezantuan disa aktivitete të mëdha të zbatuara nga fillimi i programit dhe u diskutuan disa çështje kyçe që duhen adresuar në të ardhmen e afërt. Vërejtje shumë konstruktive janë siguruar nga të gjithë pjesëmarrësit.


Festivalit Folklorik Tipologjik

Përfundon me sukses edicioni i XII- të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso - Polifonisë i mbajtur nga data 24-25 nëntor 2017. Larmishmëri vlerash, ritesh, kostumografie të shpalosura nga grupet e ndryshme si Vlora,Librazhdi, Tepelena, Gjirokastra Saranda, Dropulli, Mallakastra, Himara, Skrapari, Gramshi si dhe grupi i valleve përshëndetës i Prizrenit nga Kosova. Ky festival u mundësua nga Ministria e Kulturës, Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike, Këshilli i Qarkut Vlorë, Bashkia Vlorë,
Juria ishte e përbërë nga Thoma Gaqi, Vaid Kuçi, Beb Dobi, Meri Kume.
Drejtues artistik , Artur Dhamo
Të ftuar të pranishëm në ndarjen e çmimeve ishin dhe kryetari i Këshillit të Qarkut z. Ervis Moçka Kryetari i Bashkisë z.Dritan Leli, Prefekti z Flamur Mamaj e tê tjerë.
Në natën finale, juria vendosi këto çmime:
Çmimi i Parë "Haxhi Dalipi" Grupi i Pilurit
Çmimi i Dytë "Neço Muko" Grupi i Cfakës, Gjirokastër
Çmimi i Dytë "Demir Zyko" Grupi i Gramshit
Çmimi i Tretë "Maliq Lila" Grupi i të Rinjve të Tepelenës
Çmimi i Tretë "Arap Çeloleskaj" - Të Rinjtë e Grupit të Tërbaçit
Çmimi i Tretë "Xhevat Avdalli" - Grupit të Dropullit
Çmimi Inkurajues "Kujtim Mici" të rinjtë e Sarandës "Zëri i Bilbilit"
Çmimi i Karrierës - Grupi i Grave të Kolonjës
Hedhësi më i mirë - Hedhësi i Grupit të Bilishtit
Marrësja më e mirë - Bejushe Bajramaj

 

Disa nga grupet pjesëmarrëse të Festivalit Folklorik Tipologjik . Mbresëlënëse dhe risi në këtë festival ishte përfaqësimi i grupeve të rinj, të cilët kënduan aq bukur dhe me pasion me zërat e tyre duke marrë dhe përçuar më tej isopolifoninë. Grupet me të rinj ishin Dropulli, Tepelena, Saranda, Të rinjtë e Tërbaçit.

 


Shtabi i Emergjencave Civile

Mblidhet, Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut të Vlorës. Në mbledhjen e drejtuar nga prefekti Flamur Mamaj, ka marrë pjesë kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Ervis Moçka. Shtabi është mbledhur për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që mund të prekin edhe Vlorën në tre ditët në vijim. Më pas krerët e pushtetit lokal kanë inspektuar hidrovorin e qytetit të Vlorës dhe atë të Akërnisë.


"South" një hap më shumë drejt realizimit të identifikimit dhe promovimit të produkteve turistike dhe lokale të territorit të qarkut të Vlorës

Ne besuam që kur e krijuam. Sot një hap më shumë drejt realizimit të identifikimit dhe promovimit të produkteve turistike dhe lokale të territorit të qarkut të Vlorës, me Markën Rajonale "South".
U zhvillua sot takimi i Komitetit Drejtues për promovimin dhe marketimin rajonal të zonave urbane e rurale dhe nxitjen e zhvillimit të turizmit në Bashkitë e Qarkut Vlorë, mbështetur dhe organizuar nga GIZ Albania dhe AZHR4.
Marka rajonale “South” është inisiativë e Këshillit të Qarkut Vlorë dhe është miratuar me vendim të tij, me konsensusin e të 7 Bashkive dhe përfaqësuesve të tyre. Ky “brand” i ri, ka për qëllim që të shërbejë si hapi i parë i identifikimit dhe promovimit të territorit të qarkut të Vlorës me interesin e tërheqjes në mënyrë të konkurrueshme të tregut turistik brenda dhe jashtë vendit. Komiteti diskutoi lidhur me përdorimin e kësaj marke për zhvillimin e turizmit dhe produktet lokale vendase. Gjatë takimit u zhvilluan prezantime teknike lidhur me rëndësinë e brandimit rajonal. Gjithashtu u prezantua draft-marrëveshja për politikën e promovimit të përbashkët të markës rajonale dhe draft-udhëzuesi për prodhuesit e markës rajonale “South”. Rëndësi të veçantë ka të japim zgjidhje dhe të gjejmë një treg më të gjerë për prodhuesit, pa harruar të japim rëndësinë e duhur çertifikimit të produkteve.


Vizita nga ambasadorja greke

Ditën e enjte, 26.10.2017, kryetari i Këshillit të Qarkut z. Ervis Moçka priti në zyrën e tij për një vizitë ambasadoren e Greqisë në Shqipëri, znj Eleni Sourani. Znj. Sourani ishte e shoqëruar nga z. Grigorios Gelavekouras, Zv/Ambasador dhe Këshilltar i Parë pranë Ambasadës.

 
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të njohjes dhe bashkëpunimit të institucionit që znj Sourani përfaqëson, edhe me institucionet vendore në 12 qarqet e Shqipërisë. Në këtë takim të parë në Qarkun e Vlorës, fokusi i bisedës u orientua në bashkëpunimin ndërkufitar, kryesisht për programin ndërkufitar Greqi-Shqipëri 2014-2020 me fonde të BE-së, si një prej mekanizmave më të mirë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe krijimin e mundësive për investime në territoret tona. Znj. Sourani u interesua për fazën e procesit të projekteve që janë fituar, duke shprehur gatishmërinë e mbështetjes për nxitjen e fillimit të zbatimit të projekteve.

  1. Moçka vlerësoi mbështetjen në këtë drejtim, ndërsa theksoi rëndësinë e projekteve, sidomos atyre strategjike me impakt të rëndësishëm në territor dhe lehtësimin e e procedurave burokratike që kanë ndikuar në zvarritje kohore për fillimin në kohë të zbatimit të projekteve të programit me Greqinë: “Ne kemi komunikim pozitiv dhe të frytshëm, jo vetëm me rajonet greke, pjesë e programit por edhe me bashkitë kufitare, ndaj, aq dinamik sa është ky bashkëpunim, po kaq, do ishte mirë të vijonte edhe ky proces që për hir të së vërtetës, është zvarritur nga procedura të gjata burokratike.”

Znj. Sourani tregoi gjithë disponibilitetin që zyra e saj do të vinte për lehtësimin e procedurave që mund të përbëjnë pengesa burokratike për zbatimin në kohë të këtyre programeve. Ky proces që ka nisur është në funksion të forcimit të bashkëpunimit midis dy vendeve që për nga historia, kultura, por edhe pozita gjeografike ndajnë gjëra të përbahkëta. Gjithashtu ajo shprehu përmes përvojës së saj të mëparshme, impaktin e faktorit diplomatik në procesin e rëndësishëm që Shqipëria është duke kaluar për anëtarësimin në familjen e madhe europiane.


 

Close