Bashkia Himarë

 

Bashkia Himarë

 

Stacioni antik Acroceraunia.Borsh

Rrënojat e stacionit gjenden në të dalë të fshatit Borsh,disa dhjetra metra mbi rrugën automobilistike. Studjuesit mendojnë se rrënojat përfaqësojnë një kompleks ndërtimor i cili i përkiste një stacioni rrugor të periudhës romake në shek.I-II e.s. Mendohet se ky stacion ka patur funksionin e një “Mansio” duke zenë një pozicion qëndror në Accroceraune.Dallohen mirë trasetë e mureve dhe mund të arrihet për t’u vizituar me anë të një udhe këmbësorës, 15 minuta mbi rrugën nacionale.

Përroi “Rrugët e Bardha”

Përroi i Palasës, “Rrugët e Bardha” ose “Strada Bianca” shtrihet në rrëzë të faqes perëndimore të Acrocerauneve,poshtë majës së Çikës dhe qafës së Llogarasë. Ky emër i ka mbetur për shkak të vezullimit zbardhëllues që përroi lëshon akoma në terrin e natës. Përroi zbret nga Çika e derdhet vrullshëm në det duke formuar një ambient nga  më madhështorët në krejt bregun Adriatiko-Jonian.Në këtë vend ka zbarkuar në vitin 49 p.e.s. J.Cezari, për t’u ndeshur në Orik me ushtrinë e Gney Pompeit gjatë Luftës Civile.Delta madhështore e tij ruhet pothuajse në gjendje të virgjër dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike.

Kisha e Ipapandisë.Dhërmi

Kisha është ndërtuar në pjesën e poshtme të fshatit,në buzë të detit dhe paraqitet e njëjtë tipologjikisht me kishat e Bregut të Detit. Në pjesën qëndrore lartësohet këmbanorja që ka dy kamare të ndara me një kollonë të hollë dhe mbi to një e tretë, duke krijuar  një siluetë elegante me tendencë vertikaliteti.Specialistët mendojnë se kisha i përket gjysmës së dytë të shek.XVIII.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike që të shpije në plazhin e Dhërmiut.

Kisha e Shën Stefanit.Dhërmi

Kisha paraqet sot një kapelë të periudhës se pushtimit turk,në muret e së cilës dallohen edhe pjesë muresh të vjetra dhe gjurmë afreskesh që datojnë në shek.XVII-XVIII. Ndërtimi i vjetër ka qenë një bazilikë trenefeshe kurse kapela e re është ndërtuar duke përfshirë hapësira të absidës së vjetër. Mendohet që fillimisht kisha të jetë  ndërtuar midis shek.XI-XII.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet me anë të rrugës automobilistike për në plazhin e Dhërmiut.

 

 

Kisha e manastirit të Shën Mërisë.Dhërmi

Kisha është pjesë e manastirit më të vjetër të ndërtuar në kreshtën shkëmbore më të lartë të Dhërmiut dhe figuron e pikturuar më 1576. Në këtë kishë ka qënë pikturuar portreti i Shën Kozmait më 1781 së bashku me mbishkrimin për martirizimin e tij më 24 Gusht 1779. Kisha përbëhet prej dy pjesësh që dallohen nga njëra tjetra. Specialistëve  e datojnë kishën në shek.XIII-XIV.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht me rrugë automobilistike.

Kalaja e Pirgut.Ilias

Pirgu apo Katafiqi ndodhet në kodrën me lartësi rreth 200m. mbi nivelin e detit në perëndim të fshatit Ilias. Maja e kodrës rrethohej plotësisht me një mur me diametër 25m, ku ka egzistuar fortifikimi antik. Dallohet traseja e murit antik, ku muri i anës lindore ruhet më mirë dhe mendohet si një rindërtim i të njëjtës periudhë. Fortifikimi datohet në shek.XII-X p.e.s.Ruhen muret në gjendje rrënojë dhe vizitohet me vështirësi me anë të një rruge këmbësoresh në një terren të ashpër shkëmbor.

Kisha e Shën Spiridhonit.Vuno

Manastiri i Shën Spiridhonit është pozicionuar në  qendër  të fshatit Vuno ku formon një ansambël me ndërtesa të karakterit shoqëror. Kisha e tij është  ndërtuar në vitin 1777 dhe pikturuar në vitin.Kisha paraqet një bazilikë  dhe pranë saj ndodhet edhe një kambanore e lartë me dy kamare që figuron si ndërtim i njëkohshëm me kishën.Aktualisht kisha ndodhet në proces restaurimi.

Kisha e Shën-Mëri Mesodhisë.Vuno

Kisha e Shën Mëri Mesodhisë është një kapele e pozicionuar në një breg në juglindje të Vunoit, disa metra mbi rrugën nacionale. Kisha përbëhet nga naosi dhe ambienti i altarit, të  ndarë midis tyre nga një ikonostas prej guri me tri hyrje. Piktura murale është realizuar në vitin 1783. Mbi frontonin e murit perëndimor ka qenë një kambanore me  mur guri nga e cila kanë mbetur vetëm këmbët e kamares.Kisha ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht në këmbë.

Kisha e Shën-Mëhillit.Vuno

Kisha e Shën Mëhillit është e vendosur në një tarracë brenda fshatit dhe është e pikturuar në vitin 1783. Kisha ka planimetri drejtkëndëshi të  dhe në murin lindor dallohet absida rrethore e vendosur jo tamam në qendër. Në anën veriperëndimore ngrihet një kambanore. Ruhet në gjendje relativisht të mirë dhe vizitohet lehtësisht nga qendra e Vunoit.

Kisha e Shën Sotirës.Vuno

Kisha e Shën Sotirës  një bazilikë njënefshe, me absidën në anën lindore dhe aktualisht paraqitet në gjendje mjaft të rënduar.Ka dëmtime të strukturës dhe çatija është e rrëzuar.Datohet në shek.XVIII.Mund të arrihet lehtësisht nga qendra e fshatit Vuno.

Banesa Kasneci.Vuno

Kompleksi është realizuar  me tre faza ndërtimi, duke arritur në një kontur të mbyllur që formohet pjesërisht nga ndërtimet dhe pjesërisht nga muret rrethues. Sot ai ndodhet në gjendje rrënojë. Në pamjen nga rruga kompleksi është trajtuar me një gjuhë të vetme arkitektonike që ka njehsuar fazat, të cilat mund të dallohen pas një vrojtimi të imët. Periudha e ndërtimit i takon mesit të shek.XVIII.Kompleksi është pozicionuar në qendër të Vunoit dhe arrihet lehtësisht me anë të rrugicave  me kalldrëm të fshatit.

Vendbanimi i Vjetër i Himarës

Qendra e banuar në kalanë e Himarës është e rrethuar me mure mbrojtëse që zenë fill nga Antikiteti. Në gjendjen aktuale qendra e kalasë së Himarës i përket shek.XVIII-XIX. Qendra e banuar ruan vlera të rëndësishme urbanistiko-arkitektonike, sepse paraqet një  ansambël tipik të zhvilluar brenda mureve të një fortifikimi. Qendrat e lashta të fortifikuara të cilat ruajnë ende brenda tyre ansamble banimi janë shumë të rralla si në Shqipëri ashtu edhe në Ballkan. Vizitohet lehtësisht nga ana e rrugës nacionale.

Kalaja e Himarës

Kalaja ngrihet mbi kodrën  me lartësi 223m, në lagjen e sotme Barbaka dhe rrënojat e mureve antike ndiqen me vështirësi. Sipërfaqja e kështjellës ka qenë rreth një hektar dhe  ka patur një pozicion të mirë strategjik. Studimet kanë nxjerrë në dritë faktin se Himara ka qenë me shumë në rolin e një qendre strategjike ushtarake se sa në rolin e  një qendre ekonomike. Kështjella e Himarës datohet në shek.IV-III p.e.s. Është lehtësisht e vizitueshme nga ana e rrugës nacionale.

 

 

 

Kisha e Shën Sergit dhe Bakut.Himarë

Kisha ka qenë selia e dikurshme e Peshkopatës se Himarës, rreth viteve 1019 dhe është ndërtuar në vendin më të lartë në anën veriore të kalasë së Himarës. Muret e saj ruajnë gjurmë të shumë rindërtimeve  dhe ndërtimit të vjetër i takon naosi. Është meremetuar në vitin 1783. Bazuar në teknikën e ndërtimit dhe në dokumentacionin historik mendohet që kisha të jetë një ndërtim i fillimit të shek.XI.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht brenda kalasë së Himarës.

Kisha e Shën Mëhillit.Himarë

Kisha është në gjëndje rrënojë dhe ruan në pjesën me të madhe muret në lartësitë e tyre normale. Kisha ka qënë një kapelë drejtkëndshe. Mendohet që kisha të jetë një ndërtim i fillimit të shek. XIII. Vizitohet lehtësisht në buzë të rrugës automobilistike  për në plazhin e Livadhit.

Kisha rrënojë e Shën Ndreut.Himarë

Kisha është një kapelë e vogël e pozicionuar në këndin jugperëndimorë të kalasë, ku dallohet absida gjysëm rrethore e ndërtuar në mënyrë primitive. Pjesa e sipërme e saj mbulohej me rrasa guri. Në pjesë të ndryshme të mureve dallohen duar dhe periudha të ndryshme ndërtimi. Mendohet që kisha të jetë një ndërtim i shek.XIII-XIV.Ruhen muret në gjendje rrënojë deri në nivelin e çatisë dhe vizitohet lehtësisht brenda kalasë së Himarës.

Shpellat e Spilesë

Shpellat ndodhen pranë  qëndrës së Himarës, në Spile. Është vërtetuar  prania e disa shtresave kulturore me një shtrirje të gjerë kohore nga Neoliti deri në periudhën Romake. Gërmimet arkeologjike të vitit 2002 në shpellën e Spilesë me mjete bashkëkohore dhe analizave me karbon C14 evidentuan më shumë shtresa kulturore. Pas viteve të vështira të tranzicionit,ku e evidentuan edhe ndërhyrje humane, aktualisht territori i shpellave është nën kontrollin e strukturave shtetërore.Vizitohen lehtësisht në qendër të Spilesë.

 

 

 

 

 

Kalaja e Porto Palermos

Kalaja e Porto Palermos është një strukturë  mbresëlënëse e ndërtuar sipas traditave më të mira arkitekturore dhe estetike ushtarake të periudhës së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës. Përmbi portën e saj ka qenë murosur një mbishkrim,  por që u shkatërrua në vitin 1995. Kalaja e Porto Palermos u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1804,mbi rrënojat e manastirit të Shën Kollit.Vizitohet lehtësisht pranë rrugës nacionale Vlorë-Sarandë.

Kisha e manastirit të Shën Mitrit.Qeparo

Kisha ndodhet në  qendër të Qeparoit ku ka krijuar në vite një ansambël me objekte të tjera me karakter shoqëror. Kisha ka tiparet e  kishave  të Bregut të Detit dhe është ndërtuar në vitin 1760. Të vetmet elementë dekorativ janë përfundimet e mureve me korniza në formë dhëmbë sharre. Në anën perëndimore mbi frontonin e murit dallohet një këmbanore.Ruhet në gjendje të mirë dhe vizitohet lehtësisht pranë qendrës së Qeparoit.

Kullat e Vlashajve.Qeparo

Ndërtimi i banesës me kullë lidhet me emrin e Ali Pashë Tepelenës. Kulla trekatëshe  zhvillohet përbri mesit të ndërtimit dykatësh. Ndërtimi dallohet për një përpunim të kujdesshëm,korniza karakteristike prej guri me motive të njohura arkadash si dhe kornizim të dritareve me gur të latuar. Banesa datohet në fillim të shek.XIX., rreth viteve 1810.Ruhet në gjendje gjysëm të rrënuar dhe mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësorësh,një gjysëm ore larg në veri të Qeparoit.

Qyteti antik i Borshit

Vendbanimi i fortifikuar antik i Borshit ngrihet mbi një kodër në formë piramide, 285m. të lartë.  Periudha e parë e qytetit antik të Borshit është në mesin e shek. IV p.e.s. Në vitin 1192 përmendet si kalaja e Sopotit, e banueshme deri në fillim të shek.XX. Ruhen trakte muresh antike në gjendje të mirë si dhe muret e kalasë mesjetare të Sopotit në nivelin normal.Mund të vizitohet me anë të një rruge automobilistike në gjendje të pashtruar me asfalt, dhjetë minuta larg qendrës së Borshit.

 

 

 

 

Manastiri i Krorëzës.Shën Vasil

Manastiri i Krorëzës ndodhet në një kodër pranë bregut të detit Jon, rreth 2km. në veriperëndim të manastirit të Kakomesë dhe është ndërtuar në mesin e shek.  XIV. Kisha e Shën Mërisë është me strukturë në formë kryqi me kupolë. Kisha është e periudhës pasbizantine dhe e pikturuar në vitin 1672. Kisha ruhet në gjendje deri diku të mirë.Mund të vizitohet  me anë të një udhe këmbësore të vështirë nga ana e manastirit  të Kakomesë ose me rrugë detare.

Manastiri i Kakomesë.Nivicë

Manastiri është ndërtuar në brendësinë veriore të gjirit të Kakomesë. Kisha e Shën Mërisë hyn në grupin e kishave me tri absida dhe datohet në periudhën e parapushtimit osman. Në pjesën qendrore të murit perëndimor ngrihet kambanorja. Kisha është  pikturuar në vitin 1672 nga piktori Mihal i Jermës. Ruhet në gjendje të mirë dhe vitet e fundit ka patur edhe një restaurim të plotë.Mund të vizitohet me anë të një rruge dytësore të asfaltuar që e lidh me rrugën nacionale.

Bazilika e Nivicës

Bazilika  është e pozicionuar në juglindje të Nivicës në vendin e quajtur „Kodra e Kuqe“.Shkatërrimi dhe braktisja e saj ka ndodhur në vitin 1336, gjatë ekspeditës shkatërrimtare që Androniku III Paleologu ndërmori në Iliri dhe Epir. Specialistët janë të mendimit se bazilika datohet në shek. XII. Rrënojat e saj ndodhen mbi një kodër poshtë fshatit Nivicë. Mund të vizitohen me anë të një rruge të paasfaltuar, 15 minuta nga rruga nacionale.

Kisha e Shën Vasilit.Shën Vasil

Kisha ndodhet në lindje të fshatit dhe e pozicionuar në mes të varrezave..Bazuar në trajtimin e jashtëm dhe teknikat e ndërtimit,studjuesit  e datojnë kishën e vjetër të Shën Vasilit, e cila u shkatërrua nga revolucioni ateist në vitin 1967, në shek.XVIII. Aktualisht paraqitet e restauruar dhe vizitohet lehtësisht në qendër të Shën Vasilit.

 

 

 

 

 

Manastiri i Shën Mërisë së Krimarovës. Piqeras

Kisha pasbizantine e Shën Mërisë  është ndërtuar në vitin 1672 dhe ndodhet në manastirin e vendosur në një kodër në lindje të fshatit Piqeras. Ajo është e pozicionuar në mesin e manastirit duke patur konakët nga ana veriore dhe perëndimore. Manastiri dallohet për pozicionin strategjik dhe panoramik të ndërtimit të tij.Mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësore, rreth 20minuta mbi fshatin Piqeras.

Kisha e Shën e Premtes. Lukovë

Kisha paraqet shëmbullin tipik të bazilikave me kupolë, përbëhet nga naosi dhe ambienti i altarit në të cilën mund të futesh nga dy dyer, respektivisht në anët jugore e perëndimore. Aktualisht gjëndja fizike e saj paraqitet shumë e dëmtuar. Kisha e Shën e Premtes mendohet të jetë ndërtuar në  shekullin XVII.  Vizitohet lehtësisht në njerën nga lagjet e poshtme të Lukovës.

Vendbanimi antik i Hundecovës. Hundëcovë

Ndodhet në të majtë të rrugës Borsh-Sarandë, rreth 5km. pasi kalon Lukovën, përballë fshatit rrënojë të Hundecovës, në vendin e quajtur Qafa e Pazarit. Në shpatin e malit dallohen tri tarracime muresh antike që shtrihen paralel njëri me tjetrin. Mendohet të ketë qenë një vëndbanim i vogël ose një stacion rrugor i shek. IV - III p.e.s. Ruhen mirë trakte të mureve antike dhe vizitohet lehtësisht disa metra mbi rrugën nacionale.

Ura e Bratajt

Ura ndodhet në dalje të fshatit Brataj mbi lumin e Shushicës  dhe është me një hark. Në vendin ku është ndërtuar ura dallohen në shtratin e lumit prania e masivëve shkëmborë, gjë që ka diktuar edhe kthesat në planimetrinë e urës.Qemeri i madh i urës së Bratajt ka një hapësirë drite rreth 14m..Ura e Bratajt mendohet të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.Vizitohet lehtësisht disa metra poshtë rrugës automobilistike.

 

 

 

 

 

 

Kalaja e Vranishtit

Kalaja gjendet në fshatin Vranisht i cili quhet në të folurën e popullit dhe „Hora e Vranishtit“ është ndërtuar në një terren të sheshtë dhe ka formën e një pesëkëndëshi. Ka qenë një kështjellë garnizoni për kontrollin strategjik të rrugës. Studjuesit e datojnë në periudhën e hershme të pushtimit turk. Analiza e rrethanave historike konkludon se periudha më e mundshme e ndërtimit të saj është periudha e fushatës së sulltan Sulejmanit të Madhërishmit më 1537.Ruhen muret në gjendje rrënojë dhe mund të vizitohet disa metra poshtë rrugës automobilistike.

Ujësjellësi i Vranishtit

Ujësjellësi është i pozicionuar në rrjedhjen e mesme të Shushicës, në pikën ku me të bashkohen edhe ujërat e përroit të Thatë të Vranishtit. Studjuesit shprehen se ujësjellësi ka patur vlera ndërtimore dhe e datojnë atë midis fundit të shek.XVIII dhe fillimit të shek. XIX.Rrënojat mund të vizitohen lehtësisht poshtë rrugës automobilistike.

Kisha e Shën Gjergjit.Brataj

Kisha e Shën Gjergjit ruhet në gjendje rrënojë, muret e së cilës arrijnë lartësinë 3m. në pjesën e naosit. Në anën lindore ku mendohet të ketë qenë ambjenti i altarit,dallohet absida rrethore.E veçantë është prania në pjesën e poshtme të mureve,të blloqeve të mëdha gurësh të gdhendur,të cilat mendohet të jenë marrë nga ndërtesa antike rrotull saj. Bazuar në tipin arkitekturor dhe nga ndërtimi i mureve të absidës,specialistët e datojnë kishën në shek.XIII-XIV.Rrënojat mund të vizitohet me anë të një udhe këmbësorësh pranë fshatit Brataj.

Kalaja e Karosit.Qeparo

Kalaja ndodhet në veri të Qeparoit të vjetër, në majën e kodrës shkëmbore të Karosit dhe vendasit e quajnë edhe maja e Kastelit ose Gradishta. Ana perëndimore e kodrës përfundon me një humnerë që bie pingul në luginën e Kudhësit. Kalaja e Karosit  me tri mure rrethuese paraqet një vendbanim të fortifikuar antik. Mendohet se kalaja e Karrosit datohet në shek.XII-X p.e.s.Ruhen gjurmë të mureve rrethues dhe mund të vizitohet me anë të një udhë të vështirë këmbësorësh, rreth 20 minuta në veri të Qeparoit.

Close