Titujt Vendorë të Nderit

Praktika për Titujt Vendorë të Nderit

1.      Këshilli i Qarkut Vlorë në zbatim të nenit 77, pika ll të Ligjit 139/2015, datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore“, Ligjit Nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Ligjit Nr.112/2014 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e  Shqipërisë” si dhe të VKM- së Nr.861, datë 10.12.2014 “Për miratimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e komisioneve këshillimore për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë” si dhe Rregullores mbi procedurat e dhënies së “Titujve Vendorë të Nderit” miratuar me Vendimin e Këshillit të Qarkut Vlorë Nr.23, datë 20.07.2017 , jep tituj vendor nderi.

Titujt Vendorë të Nderit jepen për shpërblimin e veprimtarisë së shquar brenda juridiksionit të   Njësive të Qeverisjes Vendore ose për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit vendor. Këta tituj u jepen individëve dhe personaliteteve të ndryshme, në përshtatje me kontributet dhe vlerat, rolin dhe ndikimin e tyre në publik.

Këshilli i Qarkut Vlorë jep këta tituj nderi:

a.Nderi i Qarkut Vlorë: I jepet nga Këshilli i Qarkut Vlorë çdo personaliteti shqiptar ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të Qarkut Vlorë apo për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tij.
b.Personalitet i shquar në fushën (emri i fushës): U jepet qytetarëve shqiptar dhe të huaj për veprimtari të spikatur në fushat e ndryshme të shkencës, artit, arsimit, kulturës dhe sportit në dobi të Qarkut Vlorë.
c.Çertifikatë (Mirënjohje):U jepet qytetarëve shqiptar dhe të huaj në shenjë nderimi dhe falenderimi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre në dobi të Qarkut Vlorë.

2.      Pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm i cili është cituar më poshtë, propozimi për titujt vendorë të nderit, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, dorëzohet në zyrën e Protokollit ose në rrugë postare. Propozimi shqyrtohet nga Komisioni Këshillimor i ngritur me Urdhër të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë.

Të drejtën për të propozuar dhënien e titujve vendorë të nderit e ka çdo anëtar i Këshillit të Qarkut Vlorë, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, shoqata të ndryshme si dhe organizatat jofitim- prurëse, të cilët nëpërmjet kësaj të drejte synojnë të evidentojnë e nxisin kontribute e vlera të veçanta në dobi të shoqërisë si dhe për të vlerësuar e respektuar mbartësit e tyre.

Dokumentacioni i nevojshëm i cili duhet të shoqërojë propozimin:

1.Propozimi duhet të dërgohet jo më vonë se 90 ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e titullit vendor të nderit, me përjashtim të rasteve të veçanta kur respektimi i këtij afati është bërë objektivisht i pamundur.
2.Propozimi për dhënie titull nderi shqyrtohet në kohën e duhur kur plotëson kriteret e mëposhtme:

a.Kur propozimi firmoset nga titullari i institucionit që ka të drejtën e propozimit ose nga përfaqësuesi i shoqërisë civile.
b.Shoqërohet me relacionin përkatës, ku paraqiten arritjet dhe meritat e veçanta të personit të propozuar.
c.Përmban CV-në e personit dhe arsyetimin rreth motivacionit.
d.Letër pranimin e titullit të nderit nga personi përkatës.
e.Si dhe dokumenta të tjerë plotësues që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e tutillit vendor të nderit.

3.      Në aktin e propozimit përcaktohen:

a. autoriteti propozues dhe baza ligjore për propozimin;
b. emri, mbiemri dhe prezantimi i personit të propozuar;
c. arsyet e hollësishme që çojnë në propozimin e personit;
ç. lloji i titullit vendor të nderit;
d. elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien titullit vendor të nderit;
e. vërtetimi se personi i propozuar nuk është dënuar ndonjëherë për shkelje të rënda të ligjit ose nuk është nën hetim;
f. vërtetimi se personit të propozuar nuk i është dhënë më parë një titull vendor nderi i  njëjtë ose më i lartë se ai i propozuar.

3. Shqyrtimi i propozimit

1.Për shqyrtimin e propozimeve për titujt vendorë të nderit, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë funksionon një Komision Këshillimor, në vijim “Komisioni”, i  përbërë prej 5 (pesë) anëtarësh, prej të cilëve 3 (tre) anëtarë janë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 (dy) anëtarë personalitete të jashtme, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse.

2.Të gjitha propozimet për dhënien e titujve vendorë të nderit i dërgohen autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre, i cili i përcjell për vlerësim në komisionin këshillimor.
3. Komisioni shqyrton propozimet dhe merr vendimin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Votimi është i hapur. Anëtarët e komisionit, që janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë. Kryetari i organit kolegjial voton i fundit.
4. Nëse propozimi është i plotë, komisioni këshillimor paraqet mendimin e tij pranë autoritetit përgjegjës brenda 30 ditëve nga data e marrjes së propozimit.
5. Komisioni Këshillimor gjatë shqyrtimit të propozimeve për dhënie titull vendor nderi, zbaton të gjitha rregullat e hollësishme të përcaktuara në VKM Nr.861, datë 10.12.2014 “Për miratimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e komisioneve këshillimore për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”.

4. Dhënia e titujve vendorë

Titullin vendor të nderit e jep autoriteti përgjegjës ose një person i autorizuar prej tij, ky titulli i jepet vetë personit dhe në rast se nderimi bëhet pas vdekjes, titulli vendor i nderit u jepet familjarëve më të afërt të personit.

Close