Bashkia Sarandë

Bashkia Sarandë


Salla me mozaik Sarandë

Salla është zbuluar e fragmentuar dhe paraqet mjedisin e një godine të shek.III.e.s. Sipas arkeologëve që kryen gërmimet,në objekt janë vërejtur ndërhyrje për ta shndërruar atë në ndërtesë kulti.Në një nga anekset e saj të quajtur nga studjuesit si “dhoma me delfin”, janë gjetur fragmente skulpturash,kapitele të shek.IV-VI si edhe një mozaik me një mbishkrim që flet për një presbiter. Aktualisht, objekti ruhet pranë godinës së Muzeut Arkeologjik,Sarandë.

Kisha e manastirit “ 40 Shënjtorët “Sarandë

Bazilika e Dyzet Shënjtorëve të Sebastjes mbi Sarandë është e tipit të pelegrinazhit dhe  pozicioni strategjik dhe dominues i manastirit  “Dyzet Shënjtorët” është i veçantë. Bazilika ka qenë pjesë e manastirit deri në mesin e shek.XIX kur u shkatërrua përfundimisht nga bombardimet e luftës së Dytë Botërore.Kisha i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës, i cili në Antikitet quhej Anchesmos kurse në Mesjetë,rreth shek.XII përmendet për herë të parë si Santa Carentet(Dyzet Shënjtorët). Bazilika datohet në fundin e shek.V- fillimi i shek.VI.Aktualisht vizitohet me anë të një rruge të vështirë automobilistike, e cila ndahet nga rruga nacionale në Qafë të Gjashtës.

Kështjella trekëndëshe –bregu jugor i kanalit të Vivarit Butrint

Kështjella është e pozicionuar në bregun jugor të kanalit të Vivarit, përballë qytetit antik të Butrintit. Ajo ka një planimetri pothuajse trekëndëshe dhe ruhet relativisht në gjendje të mirë. Specialistët kanë dalluar pesë periudha ndërtimi, të cilat i kanë dhënë kështjellës pamjen e sotme..Periudha e parë e ndërtimit  përfshin fundin e shek.XIII deri në fundin e shek.XIV duke përfunduar me periudhën e fundit në fillim të shek XIX. Ruhet në gjendje të mirë,ka patur edhe një restaurim dhe është lehtësisht e vizitueshme buzë kanalit të Vivarit

Kështjella e Sarandës

 Kështjella, për vetë pozicionin që u krijua nga ndërtimi mbi rrënojat e saj, i qendrës së Sarandës, në mesin e shek. XX, ka ardhur në ditët tona e rrënuar. Kështjella ka ekzistuar në atë pjesë ku sot shtrihet qendra e Sarandës dhe rrugët e qytetit janë ndërtuar mbi muret e kështjellës. Ajo ka patur formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, me anët lindore e perëndimore që zbresin drejt detit. Gjurmë të kalasë që ruhen janë  ato të një kulle pranë bregut të detit dhe rrënojat e murit rrethues pranë sinagogës-bazilikë.

Sinagoga-Bazilikë Sarandë

Në pjesën lindore të mureve të kështjellës së Sarandës ndodhet një  sinagogë-bazilikë trenefshe. Vërtetohen dy faza të ndërtimit të saj, njëra në shek.V e.s. dhe tjetra ndoshta gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian, në mesin e shek.VI.e.s. Zbulimet fundit sipas mozaikut të zbuluar vërtetuan se ndërtesa fillimisht ka egzistuar si një sinagogë ebreje deri në çerekun e fundit të  shek.VI. Mendohet që sinagoga është shkatërruar bashkë me qytetin e Sarandës gjatë dyndjeve barbare të gotëve në shek.VI. Rrënojat e sinagogës-kishë gjenden sot në qendrën e Sarandës.

Kështjella e Lëkurësit Sarandë

Kështjella ngrihet mbi majën e një kodre të lartë rreth 1km. në juglindje të Sarandës, nga ku zotërohen të gjitha pikat e horizontit. Kështjella ka patur një planimetri pothuajse katrore dhe në shpatin perëndimor të kodrës dallohen rrënojat e fshatit të vjetër Lëkurës.Brenda murit lindor dalloheshin konturet e një kishe. Mendohet që kështjella të jetë ndërtuar në periudhën e fushatës së sulltan Sulejman Kanuniut më 1537 në Korfuz. Aktualisht, kalaja është rikonstruktuar dhe e përshtatur për qëllime turistike.Lehtësisht e vizitueshme me rrugë automobilistike.

 Manastiri i  Shën Gjergjit Demë

Manastiri ndodhet i pozicionuar në majë të një kodre 180m. të lartë, e cila nga ana lindore laget nga ujërat e liqenit të Butrintit dhe nga perëndimi kufizohet me brigjet e detit Jon. Kisha e Shën Gjergjit pozicionohet në qendër të manastirit, muret rrethuese të të cilit së bashku me kishën dhe konakët janë restauruar vitet e fundit. Bazuar në zgjidhjet e zhvilluara strukturale, kisha mendohet të jetë ndërtuar në fundin e shek.XVII.  Vizitohet me vështirësi për shkak të amortizimit të rrugës automobilistike.

Muri i Demës Çukë

Muri i Demës ndodhet në pikën më të ngushtë të gadishullit të Ksamilit dhe paraqet interes për karakterin unik të tij. Muri ngrihet mbi kodrën e Shën Gjergjit, mbi të cilin është ndërtuar në shek.XVII manastiri i Shën Gjergjit dhe ka dy periudha ndërtimi. Muri i Demës si fortifikim ka patur një mbrojtje të pavarur në formën e një kalaje. Studjuesit e datojnë ndërtimin e murit në shek.V p.e.s. Aktualisht dallohen gjurmët e tij në të gjithë trasenë antike.Ruhet më mirë në kontaktin me detin Jon.Vizitohet me vështirësi për shkak të amortizimit të rrugës automobilistike.

Tempulli antik Metoq

Në Qafën e Gjashtës, në të djathtë të rrugës Sarandë-Delvinë, në një nga kodrat e fshatit Metoq kanë egzistuar dy tempuj të kohës klasike. Aktualisht mund të përcaktohet saktë njëri prej tyre, i pozicionuar midis banesave të reja. Mbi sipërfaqe  dallohen gjurmët e mureve të ndërtuara prej blloqe gurësh të mëdhenj të punuar mirë nga të katër faqet. Datohen në shek.III-II p.e.s. Rrënojat gjenden midis ndërtimeve të reja në qendrën e lagjes Metoq.

Vendbanimi antik Çukë

Kodra e Çukës ndodhet në juglindje të Sarandës,  është vazhdim i malit të Lëkurësit dhe mbi sipërfaqe shkëmbore të saj dallohen gjurmët e një vëndbanimi të fortifikuar. Veçohet një kullë drejtkëndëshe me mure të ruajtura mirë në tre faqe,  të ndërtuar me blloqe gurësh paralelpipedi deri në 4m. lartësi. Gjurmë muresh duken edhe në vende të tjera të kodrës. Studjuesit e datojnë  vendbanimin në  shek. IV-III p.e.s. Rrënojat gjenden midis ndërtimeve të reja në Çukë.

Butrinti

Qyteti i Butrintit, me një sipërfaqe prej 29m2, është njohur si Park Kombëtar në vitin 2002. Parku Kombëtar i Butrintit është klasifikuar si Pasuri e Trashëgimisë Botërore nga UNESKO, duke transmetuar kështu rëndësinë e tij si një pasuri natyrore e kulturave ndërkombëtare. Brenda kufijve të Parkut përfshihet një ndër qytetet antike më të mëdhenj e romantikë të Ballkanit e të Mesdheut. Parku sot numëron mbi 10 zona të vogla arkeologjike, të cilat mbajnë brenda tyre edhe një botë shumë të larmishme speciesh e gjallesash, nga të cilat 14 prej tyre paraqiten seriozisht të rrezikuara. Parku është shpallur edhe Zonë Ligatinore e Rëndësisë Botërore më 2003. Brenda Parkut të Butrintit përfshihen monumente antike që datojnë nga shek V p.e.s. deri në shek. XVI.Butrinti ndodhet  18 km.në jug të qytetit të Sarandës.

Kështjella e Vivarit Butrint

Ndodhet në bregun jugor të derdhjes së kanalit të Vivarit dhe ka një periudhë ndërtimi. Bazuar në rrethanat historike të kohës, studjuesit kanë arritur në konkluzionin se kështjella është ndërtuar me emergjencë prej Ali Pashë Tepelenës, pas kundërshtimit nga ana e tij të kërkesës së Napoleon Bonapartit për dorëzimin e Butrintit, rreth viteve 1807-1808. Ruhen muret deri në lartësinë natyrale të tyre.Rrethohet nga nje sipërfaqe ligatinore dhe vizitohet vetëm  me barkë nga kanali i Vivarit.

Kalaja e Kalivosë

Kalivoja ndodhet  në lindje të liqenit të Butrintit, në një kodër e cila duke u rrethuar nga të tri anët me ujë merr formën e një gadishulli. Mbetjet antike në zonë u vizituan për herë të parë nga L.Ugolini më 1930.Studjuesit shprehen që fortifikimi datohet në shek.VI p.e.s. dhe ka shërbyer si mbështetje për Akropolin arkaik të Butrintit. Ruhen vetëm rrënoja të mureve antike.Vizitohet me  varkë nga Butrinti dhe me anë të rrugës automobilistike që shkon në Konispol.

Ujësjellësi i Butrintit Xarë

Mbeturinat e dy këmbëve të një ujësjellësi romak dallohen gjatë gjithë fushës së Vrinës (Kestrina e vjetër) deri afër kodrës së fshatit Xarë. Ujësjellësi paraqitet i dëmtuar dhe pjesët më të mira ruhen midis kodrës së Shëndëllisë dhe Dhiministrit. Mendohet që ky monument është ndërtuar në kohën e Augustit, rreth gjysmës së dytë të shek.I p.e.s.Rrënojar ndodhen disa qindra metra  larg kanalit të Vivarit dhe arrihen me këmbë për  një çerek ore.

Diapori

Kodra e vogël e Dhiaporit ndodhet në veri të Kalivosë, pranë liqenit të Butrintit  dhe mbi sipërfaqe të kodrës duken mbeturinat e një godine romake që  mendohet të ketë patur një karakter shoqëror. Në ambientet përreth dallohen gjurmë muresh dhe fragmente të ndryshme qeramike.Vizitohet  me anë të rrugës nacionale rrëzë Milesë dhe me barkë nga Butrinti.

Kalaja e Karalibeut

Kalaja ndodhet midis malit të Milesë dhe liqenit të Butrinit, pranë fshatit Karalibej, e pozicionuar në një kodër shkëmborë nga e cila zotërohet fusha e Vurgut deri në detin Jon.  Në  rrënojat e mureve të kalasë dallohen blloqet e gurit me përmasa të mëdha deri në 2.30m. gjatësi dhe 1.50m. gjerësi. Kalaja datohet midis shek.IV-III p.e.s. Ruhet në gjendje rrënojë dhe me vështirësi komunikimi dhe për t’u vizituar.

 

 

 

 

Close