Këshilli i Qarkut Vlorë

INISIATIVA

Bazuar në funksionin e qarkut si njësi koordinuese dhe harmonizuese e politikave qendrore me ato rajonale në partneritet me aktorët që operojnë në territor dhe në vizionin për një zhvillim të qëndrueshëm të rajonit, Këshilli i Qarkut Vlorë ka bashkëpunuar përmes inisiativave të ndryshme, duke ngritur edhe modele bashkëpunimi në nivel vertikal dhe horizontal me rezultate konkrete dhe efektive në shërbim të komunitetit.

Bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban

Projekti për përmirësimin e kushteve të banesave të komunitetit rom me fonde të Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Ky projekt u zbatua në njësitë administrative Novoselë dhe Llakatund të bashkisë Vlorë. Shtëpi të komunitetit rom u rikonstruktuan në rrjetin hidraulik, energjetik, sistemimin e brendshem me dyer, dritare e suvatim dhe rregullim të çative të shtëpive. Projekti u drejtua nga stafi i qarkut Vlorë, të cilët punuan dhe koordinuan punën në terren, në bashkëpunim me njësitë administrative dhe komunitetin e organizuar rom.

9 shtëpi të rikonstruktuara në komunën Shushicë
9 shtëpi të rikonstruktuara në komunën Novoselë

 

Bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë

Projekti social për viktimat e trafikimit dhe dhunës në familje në qendrën Vatra.

Qarku i Vlorës mbështet prej tre vjetësh me fonde të Ministrisë së Mirëqënies dhe Rinisë qendrën Psiko-Sociale Vatra për shërbimet sociale kundrejt viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje që asistohen në këtë qendër. Ky projekt ka qenë i suksesshëm, jo vetëm në drejtim të përkrahjes së këtij target grupi dhe fuqizimit ekonomik për riintegrimin e tyre në jetën sociale, por edhe në raportet me njësitë e qeverisjes qendrore në nivel ministror dhe njësitë e qeverisjes vendore në nivel rajonal dhe lokal. Qarku ka monitoruar në mënyrë periodike këto shërbime dhe ka raportuar te Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë, ashtu si edhe është përfshirë në aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe informuese me karakter social.

Bashkëpunim me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara

Projekti SSIREC: Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptase

Projekti është financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, në partneritet me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe tre qarqeve: Vlorë, Korçë dhe Berat. Projekti ishte model i bashkëpunimit të autoriteteve qendrore dhe lokale me qëllim fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve të margjinalizuara në qarqet e përzgjedhura. Periudha e zbatimit gjatë 2012-2014.

Model Bashkëpunimi me Agjencinë Gjermane për Zhvillim në Shqipëri: GIZ

Projekti: Hartëzimi i Potencialeve turistike të qarkut të Vlorës

Në kuadër të Projektit “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i zonës bregdetare jugore të qarkut Vlorë” Agjencia Gjermane për Zhvillim GIZ gjeti mbështetje për facilitimin dhe koordinimin e njësive vendore dhe grupeve të tjera të interesit te institucioni i Qarkut të Vlorës. Pas disa takimeve informuese midis palëve GIZ financoi kërkesën nga qarku i Vlorës për hartëzimin e potencialeve turistike të qarkut të Vlorës. Për realizimin e këtij projekti qarku i Vlorës bashkëpunoi me departamentin e turizmit në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Studimi mbi identifikimin e potencialit turistik në rajon u fokusua në inventarizimin e burimeve aktuale rajonale për turizmin të orientuar në dy aspekte kryesore:
1- Potencialet turistike
2- Përshkrimi i situatës aktuale në fushën e turizmit.

Inventarizimi i potencialit turistik do të shërbejë në promovimin e ofertës turistike si atraksion natyror, kulturor, infrastrukturës turistike dhe aktiviteteve të bazuara në mbrojtjen e natyrës.

 “Brand” i ri promovues për gjithë qarkun e Vlorës, fillesa e ofertës së re turistike

South inspires you – Jugu ju frymëzon

Kjo logo e re identifikuese e qarkut të Vlorës është pjesë e platformës turistike Mysterious South Albania Inspires You, pjesë e projektit të integruar për zonën bregdetare të qarkut të Vlorës të mbështetur nga Agjencia Gjermane për Zhvillim GIZ.

Krijimi i një oferte turistike bazuar në integrimin e burimeve natyrore bregdetare dhe zonave të thella të qarkut si dhe të burimeve të shumta kulturore, duke ruajtur mjedisin me emetime zero ka qenë që prej fillimit pjesë e vizionit të qarkut të Vlorës. Ky “brand” i ri, i aprovuar nga Këshilli ka për qëllim që të shërbejë si hapi i parë i identifikimit dhe promovimit të territorit të qarkut të Vlorës me interesin e tërheqjes në mënyrë të konkurrueshme të tregut turistik brenda dhe jashtë vendit.

Për më shumë shihni në: http://south.al/

Bajkaj Land sh.a – modeli i menaxhimit të mbetjeve të ngurta

Në kuadër të Projektit “Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zones Bregdetare” që u mbështet nga Banka Botërore u financua dhe ndërtua Landfilli Sanitar në Bajkaj-Palavli si strukturë mbështetëse në funksion të përmirësimeve mjedisore të bregdetit të jugut, fokusuar në pesë bashkitë: Sarandë, Himarë, Delvinë, Finiq dhe Konispol. Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Landfillin sanitar “Bajkaj Land” shërben si modeli i funksionimit të vend-depozitimit të mbetjeve në jug të qarkut të Vlorës.

Në 1 shtator 2015 nisi puna me kapacitet të plotë me shërbimet e fokusuara kryesisht në:

  • Pranimin, depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane në përputhje me kushtet teknike dhe sanitare të funksionimit të Landfillit.
  • Trajtimin e llumrave të ndotur si rezultat i trajtimit të mbetjeve në vend depozitim në përputhje me parametrat e lejuar mjedisorë.
  • Menaxhimin e gazrave të prodhuar në vend depozitimin e mbetjeve urbane bazuar në kushtet teknike dhe mjedisore të ruajtjes së parametrave sipas përcaktimeve.
  • Transportimin e mbetjeve urbane nga Stacioni i Transferimit Himarë në Landfill Bajkaj.

 

Për më shumë shihni në http://www.bajkajland.com

Dëgjesa publike

Janë organizuar dëgjesa publike si mekanizmi më efektiv i realizimit të investimeve të suksesshme në shërbim të qytetarëve, si: dëgjesa publike për ujësjellësin dhe masterplanin në vijën bregdetare të qarkut të Vlorës dhe për ujësjellësin me vetërrjedhje që furnizon tre bashki jugore të qarkut, Sarandë, Himarë dhe Delvinë. Këto dëgjesa publike kanë patur për qëllim analizimin në brendësi të çështjes duke përfshirë edhe banorët, që janë një pikë kryesore për mbarëvajtjen e projektit dhe nxjerrjen ne pah të problematikave përmes opinioneve dhe mendimeve të tyre, në lidhje me ujërat e ndotur që shkarkohen në mjedis.