Rrjete dhe partneritete
Këshilli i Qarkut Vlorë e përfaqëson rajonin përtej kufijve të tij administrativë. Në nivel kombëtar merr pjesë në strukturat ku vendosen politikat për qeverisjen vendore, ndërsa në nivel europian është anëtar i rrjeteve të rajoneve që lobojnë, shkëmbejnë përvoja dhe hapin rrugën për projekte e investime në territor.
Në arenën kombëtare
Këshilli Konsultativ Qendror–Vendor
Forumi i dialogut ndërmjet qeverisë qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore për politikat dhe aktet që prekin pushtetin vendor, sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Roli i Qarkut Vlorë: Përfaqësohet nga Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, si anëtar përfaqësues i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve.
TALGA – Akademia e Trajnimit për Qeverisjen Vendore
Qendra kombëtare e trajnimit për qeverisjen vendore, e mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë, për ngritjen e kapaciteteve të administratës vendore.
Roli i Qarkut Vlorë: Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë ka qenë aktiv që nga lançimi i propozimit deri në krijimin e Akademisë dhe sot është anëtar i Bordit Drejtues të TALGA-s.
Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë
Bashkon këshillat e qarqeve për të përfaqësuar interesat e tyre të përbashkëta dhe për të koordinuar qëndrimet ndaj qeverisë qendrore.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar, me pjesëmarrje aktive në takimet politike dhe teknike të shoqatës.
Në arenën ndërkombëtare
Asambleja e Rajoneve të Europës (AER)
Rrjeti më i madh i pavarur i rajoneve të Europës, që i bashkon disa herë në vit për shkëmbim të praktikave më të mira dhe për zërin e rajoneve në politikat europiane.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar që nga viti 2010. Kryetari i Këshillit është rizgjedhur për një mandat të dytë në Byronë Drejtuese të AER-it.
Konferenca e Rajoneve Periferike Detare (CPMR)
Rrjeti i rajoneve bregdetare dhe periferike të Europës, që mbron interesat e tyre në politikat europiane të kohezionit, detit dhe transportit.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar i Komisionit Ndërmesdhetar të CPMR-së; Kryetari i Këshillit është anëtar zëvendësues në Byronë Drejtuese.
Euroregjioni Adriatiko-Jonian (AIE)
Kuadër bashkëpunimi ndërrajonal ndërmjet qeverive rajonale dhe vendore të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, nga Italia dhe Sllovenia deri në Shqipëri.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar nga Shqipëria, i përfaqësuar sipas prioriteteve të zhvillimit rajonal.
Asambleja Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM)
Asambleja që bashkon përfaqësues vendorë dhe rajonalë nga Bashkimi Europian dhe vendet partnere të Mesdheut, pranë Komitetit Europian të Rajoneve.
Roli i Qarkut Vlorë: Kryetari i Këshillit është anëtar i delegacionit shqiptar në ARLEM; ka marrë pjesë në Komisionin për Zhvillim Territorial (COTER) në Bruksel dhe në Sesionin e 17-të Plenar në Tiranë.
Iniciativa Europiane e Ngushticave Detare (ESI)
Rrjeti i rajoneve europiane që ndajnë ngushtica detare, nga Doveri e Gjibraltari te Otrantoja, për njohjen e veçorive të tyre në politikat europiane.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar që nga viti 2010; drejton komisionin për Turizmin dhe Trashëgiminë kulturore e natyrore; organizoi në Vlorë konferencën e rrjetit në tetor 2015. Përfitues i projekteve NOSTRA (2011–2014) dhe PASSAGE (2016–2019).
Komiteti i Përbashkët i Monitorimit – Programi Interreg Greqi–Shqipëri
Organi që udhëheq programin e bashkëpunimit ndërkufitar Greqi–Shqipëri dhe vendos për përzgjedhjen e projekteve.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar me të drejtë vote në procedurat e vlerësimit të programit.
Akademia Europiane e Rajoneve
Shoqatë ndërkombëtare jofitimprurëse, me seli në Bruksel, që promovon rajonalizimin dhe bashkëpunimin e autoriteteve rajonale e vendore.
Roli i Qarkut Vlorë: Anëtar që nga viti 2017, me fokus në turizmin rajonal dhe ngritjen e kapaciteteve për programet europiane.
Prania jonë në aktivitete




